Kryeministri Edi Rama është pritur me protesta në Shkodër edhe pse shkoi për të shpërndarë disa çertifikata legalizimesh. Banorët që jetojnë pranë stadiumit “Loro Boriçi” kanë dashur të përballen me kryeministrin Rama, për prishjen e banesave të tyre nga ndërtimi i parkingut të këtij stadiumi.
Me pankarta në duar, ata kanë dashur të protestojnë në momentin që kreu i qeverisë do të hynte në pallatin e sportit, por i menjëhershëm ka qenë reagimi i policisë.
Mësohet se blutë e Shkodrës janë përplasur me banorët dhe nuk i kanë lejuar këta të fundit të qëndrojnë pranë hyrjes së pallatit të sportit.
Gazetarja e News 24 në Shkodrës, Eljona Kodra raportoi se edhe pas largimit të banorëve nga pallati i sportit, një kordon police është vendosur përpara tij. Po aty ka pasur edhe 3 furgonë me forca të ndërhyrjes së shpejtë, policë civilë por edhe të Gardës. Ajo raportoi se në momentin që Rama hyri në pallatin e sportit nuk pati asnjë banor jashtë tij.
Por sipas saj, banorët e Shkodrës e kanë quajtur këtë një provokim, duke thënë se “Rama nuk ia del kështu më Shkodrën duke përdorur policinë”.
Kryeministri Rama është takuar me banorët e shqetësuar për prishjen e banesave të tyre, menjëherë pas aktivitetit në pallatin e sportit ku shpërndau rreth 800 certifikata legalizimesh.
Këta banorë nuk u lejuan të protestonin më herët ,gjatë kohës kur Rama mbërriti në Shkodër, por në një moment të dytë kryeministri u ndal të bisedojë me ta duke ju premtuar se më parë do bëhet shpronësimi pastaj prishja e ndërtesave që pengojnë realizimin e projektit.
“Do ketë ndërhyrje kur projekti të përmbushë parametrat. Hapësirat do lirohet për këtë qëllim, por do të bëhet në fillim shpronësimi, më pas ndërhyrja”.
Stadiumi “Loro Borici” në Shkodër është parashikuar ti nënshtrohet një rikonstruksioni siç ndodhi me stadiumin e Elbasanit.
800 LEGALIZIME NE SHKODER
Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshm e ALUIZNI-t, ‘janë 800 qytetarë në qytetin e Shkodrës, të cilët që sot do të kenë mundësi të gëzojnë shtëpitë e tyre, duke e kthyer atë në legjitime tashmë”.
Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama shpreh se, po bëhen legalizime në një zonë ku, në 8 vjet u bënë 1400 të tilla nga 21 mijë deklarime.
“Në 7 muaj kemi bërë një punë kolosale për familje që presin prej vitesh. Me ndarjen e re territoriale do jetë më e lehtë që ky proces të ecë përpara”, tha Kryeminstri Rama.
Ndërsa kreu i Aluiznit Artan Lame u shpreh se po punohet për legalizimin e zonës brenda qytetit.















