Ministria e Shëndetësisë lançon fushatën ndërgjegjësuese dhe informimit publik, “Si Je?”, e cila fton të gjithë shqiptarët e grupmoshës 40-65 vjeç, që një herë në vit, të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë. Kontrolli Shëndetësor Bazë është një program kombëtar, pa pagesë për përfituesit e tij, që synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundshmërinë më prevalente me qëllim kujdesin për shëndetin, parandalimin e sëmundjeve dhe komplikacioneve, zbulimin e hershëm të çrregullimeve, mjekimin në fazat e hershme dhe përmirësimin e kulturës shëndetësore, prej të cilit do të përfitojnë të gjithë shtetasit e grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë.
Profili i Fushatës
Kjo fushatë i’u drejtohet së pari, të gjithë shtetasve të grupmoshës 40-65 vjeç me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, të identifikuar nga të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të regjistrit elektronik që administrohet nga mjekët e përgjithshëm të qendrave shëndetësore; dhe gjithashtu, grupi dytësor i synuar i saj, janë të rinjtë, prindërit, familjet, institucionet publike qeveritare dhe joqeveritare, si dhe publiku i gjerë. Qëllimi i Fushatës -Të bëjë të njohur programin e kontrollit mjekësor bazë pa pagesë për popullatën 40-65 vjeç, por edhe për publikun e gjerë në Shqipëri; si dhe, – Të ftojë gjithë shqiptarët e kësaj grupmoshe, që një herë në vit, të paraqiten në qendrën e tyre shëndetësore pranë vendbanimit dhe të kryejnë kontrollin shëndetësor bazë pa pagesë. Çfarë është Kontrollit Mjekësor Bazë dhe Përse Ju Shërben? Çdo individ, sado i shëndetshëm, në një etapë të caktuar të jetës së tij (që nga mosha mesatare), është i rrezikuar nga sëmundjet si ato të zemrës dhe enëve të gjakut, goditjet ne tru, diabeti, sëmundjet e veshkave, disa forma të demencës, depresioni, etj. Sëmundjet kronike jo-të-transmetueshme, veçanërisht ato kardio-vaskulare dhe tumorale, janë shkaktarët më të mëdhenj të vdekshmërisë në Shqipëri. Ato janë sëmundje që kanë në bazë të tyre një stil jo të shëndetshëm jetese, prandaj është thelbësore që të mund të parandalohen duke u kapur në kohë dhe duke ndikuar në edukimin shëndetësor të popullatës për një stil të shëndetshëm jetese.
Në një masë dërmuese, barra e sëmundshmërisë në Shqipëri përcaktohet nga tre faktorë madhorë të rrezikut: ushqyerja jo e shëndetshme, presioni i lartë i gjakut dhe konsumi i produkteve të duhanit. Individët e grupmoshës 40-65 vjeç kanë rrezik më të lartë për një sërë gjëndjesh shëndetësore jo të favorshme dhe pikërisht këta individë do të kishin përfitimin maksimal nga zbulimi i hershëm i sëmundjes së tyre. Shfaqjen e këtyre sëmundjeve mund ta favorizojnë gjithashtu edhe disa faktorë të tjerë që lidhen me mënyrën e jetesës, stresin, trashëgueshmërinë familjare, etj. Kontrolli shëndetësor nëpërmjet paketës së detyrueshme për moshat 40-65 vjeç, ka si qëllim të ndihmojë në uljen e rrezikut për të zhvilluar këto sëmundje të zakonshme dhe të rrezikshme, por që në kohën e sotme, është e mundur të parandalohen. Si do të Funksionojë Kontrolli Mjekësor Bazë? Nëse jeni në moshën 40-65 vjeç, ju do të merrni njoftimin dhe disa udhëzime më postë ose telefon nga Mjeku i Familjes, lidhur me paraqitjen, për të kryer kontrollin një herë në vit, në një afat kohor të caktuar (2-3 ditë) brenda muajit të lindjes.
Kjo do t’ju ndihmojë që të keni lehtësi proceduriale, koha e pritjes të jetë sa më e shkurtër dhe e planifikuar. Ajo që është më e rëndësishmja, në rast se ju paraqiten probleme me shëndetin, të diagnostikoheni dhe të trajtoheni sipas të gjitha rregullave, nga Mjeku i Familjes, i cili ju mbulon me shërbimin shëndetësor të ofruar në Qendrën Shëndetësore pranë zonës ku ju banoni. Personeli infermier që do të ofrojë shërbimin e Paketës së Detyrueshme të Kontrollit Mjekësor për moshën 40-65 vjeç, është profesionalisht i aftë dhe i trajnuar për të gjithë elementët që përmban paketa e këtij shërbimi. Gjatë kontrollit, rreziku për sëmundje do të vlerësohet nëpërmjet disa testeve të thjeshta dhe pyetjeve standart për stilin e jetës që bëni, mënyrën e ushqyerjes, dhe historinë mjekësore të familjes suaj.
Do t’ju ofrohen këshilla të personalizuara dhe ndihmë për të ulur rrezikun e sëmundjeve dhe për të bërë një jetë sa më të shëndetëshme. Këto do të përfshijnë këshilla për disa ndryshime të vogla por të rëndësishme për regjimin e ushqimit, ose çfare aktiviteti fizik duhet të kryeni sipas gjendjes shëndetesore dhe nivelit të rrezikut që ju konstatohet. Nëse konstatohet rrezik i nivelit të lartë, do të trajtoheni me ndihmën e duhur mjekësore, si medikamente që kontrollojnë presionin arterial të gjakut (tensionin), diabetin, ose sëmundjet e veshkave, të shoqeruara me udhëzimet për rënien në peshë, ose lënien e duhanit, kontrollin e pirjes së alkoolit etj. Është e këshillueshme për të gjithë personat që mund të përftitojnë, të mos e humbasin mundësinë për të kontrolluar gjëndjen e tyre shëndetësore, të paraqiten në kohën e caktuar për të marrë shërbimin që ofron
Qendra Shëndetësore me anë të kësaj pakete kontrolli rutinë të përvitshëm, të kontaktojnë me Mjekun e Familjes. Kjo do të thotë që të jeni të vëmendshëm dhe të veproni herët, për të përmirësuar ndjeshëm dhe në kohë shëndetin, për të gëzuar një jetë më të mirë dhe më të gjatë. Ndryshime të vogla, të vazhdueshme të mënyrës së jetesës, mund të bëjnë diferencë të madhe ndërmjet të sëmurit dhe të shëndetshmit. Ndërkohë, nëse keni shqetësime që lidhen me shëndetin, mos prisni të vijë koha e përfitimit të Paketës së kontrollit mjekësor bazë, por drejtohuni pranë qendrës shëndetësore dhe kontaktoni me infermierin dhe mjekun e famljes në mënyrën e zakonshme.
Hallkat e Procesit të Kontrollit Mjekësor Bazë
Thirrja e individëve për kontrollin bazë do të realizohet nëpërmjet: -Shërbimit postar. -Dërgim me zarf në adresë të çdo shtetasi qëndrim të përhershëm 40-65 vjeç: – ftesa që sistemi shëndetësor i dërgon personit; – informacioni standard në lidhje me kontrollin mjekësor bazë; – kontenieri për materialin e ekzaminimit IFOB.; – numër telefoni pa pagesë për informacione/paqartësi (qendra e thirrjeve – call center) -Marrja pjesë në kontrollin mjekësor bazë do të ofrohet në një nga tri datat që do t’i propozohen individit, në muajin e tij/saj të lindjes. -Thirrje back-up nëpërmjet telefonit. Parimet e kontrollit mjekësor bazë – Çdo shtetas me qëndrim të përhershëm në Republikën e Shqipërisë, që i përket grupmoshës 40-65 vjeç, ka të drejtën e kontrollit mjekësor bazë, pa diskriminim. -Kontrolli mjekësor bazë 40-65 vjeç është pa pagesë për shtetasit përfitues të programit. -Kontrolli mjekësor bazë 40-65 vjeç ofrohet dhe realizohet nga punonjësit e shëndetësisë në Kujdesin Shëndetësor Parësor, të kontraktuar nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH). – Kontrolli mjekësor bazë realizohet në infrastrukturën e 415 Qendrave Shëndetësore, të shtrira në të gjithë territorin e vendit. -Çdo shtetas gëzon të drejtën të japë pëlqimin për kujdesin shëndetësor që do t’i ofrohet. – Çdo shtetas gëzon të drejtën e trajtimit me dinjitet. – Çdo shtetas, që i përket grupmoshës 40-65 vjeç, pas kryerjes së kontrollit mjekësor bazë, gëzon të drejtën e këshillimit, trajtimit dhe referimit sipas kuadrit rregullator në fuqi. Kohëzgjatja e Fushatës së Kontrollit Mjekësor Bazë Aktivitetet e komunikimit të fushatës do të zhvillohen në periudhën kohore 4 – 24 Dhjetor 2014, ndërkohë që, në dt. 12/12/2014, fushata do të kulmojë me Konferencën e organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën: “Mbulimi Universal dhe Burimet Njerëzore në Sistemin e Kujdesit Shëndetësor”.
















