Reagimi i akademikut Rexhep Qosja, njërit prej nënshkruesve të Marrëveshjes në Ramboulliet, që bëri rreth postimit të një fotografie të kryeministrit Hashim Thaçi në profilin e tij në Facebook, është vlerësuar si “non sesns” nga Partia Demokratike e Kosovës.
Sipas një zyrtari të lartë të PDK-së, fotoja e publikuar në profilin e kryeministrit në Facebook nuk është prerë dhe as falsifikuar, siç pretendon akademik Qosja, por është marrë me kërkim në “google image”, transmeton lajmi.net.
“Me postimin e kësaj fotografie nuk është bërë kurrfarë falsifikimi dhe as mashtrimi. Është përzgjedhur një foto që mund ta shohë secili me kërkim në ‘google image’. Aty ka edhe fotografi të tjera të nënshkrimit të kësaj marrëveshje, fotografi ku shihet edhe akademiku Rexhep Qosja dhe publicisti Veton Surroi, por është përzgjedhur ajo që është postuar me ish-presidentin, si ilustrim për 70-vjetorin e tij të lindjes”, ka thënë ky zyrtar i PDK-së.
Ky zyrtar ka thënë për lajmi.net me kusht anonimiteti se reagimi “non sens” i Qosjes nuk është marrë me seriozitet prej tyre, dhe se nuk dëshirojnë ta komentojnë “shijen” e akademikut Qosja. “Ndoshta përzgjedhja e fotos nuk është bërë sipas shijes që do të dëshironte akademiku, por ne vërtetë nuk dëshirrojmë të polemizojmë rreth kësaj çështje, pasi bëhet fjalë për një reagim ‘non sens’ nga ana e tij”.
Fotoja e publikuar në “timeline” të faqes së kryeministrit në Facebook , e ka irrituar akademikun, duke e vlerësuar “këtë veprim” edhe si “vepër staliniste”, qëndrim ky i ashpër, por që është vërejtur tek Qosja edhe ditë më parë, në vlerësimit që ai i bëri arritjes së marrëveshjes për koalicion mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Vetëkuptohet se nuk do ta bëja këtë reagim për urimin e Kryeministrit në detyrë Hashim Thaçi me rastin e përvjetorit të lindjes së Ibrahim Rugovës sikur ky urim të mos ishte përcjellë me një falsifikat: me shkurtimin e fotografisë nga nënshkrimi i Marrëveshjes Shqiptaro-Serbe në Rambuje prej së cilës në mënyrë staliniste, jo vetëm në këtë rast, janë hequr fotografia e Rexhep Qosjes dhe e Veton Surroit”, ka shkruar qosja në profilin e tij në Facebook. “A e këtillë duhet të jetë demokracia jonë? A e këtillë duhet të jetë historia jonë? Le të gjykojnë lexuesit. Mua s’më duhen fotografitë! Mua dhe krejt popullit shqiptar i duhen sot më tepër se kurrë përgjegjshmëri shtetërore dhe ndershmëri politike, demokratike dhe historike, që aq tmerrshëm po i mungojnë Kosovës në këtë kohë”, ka shkruar Qosja.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















