Festimet për 70-vjetorin e Çlirimit të vendit janë shoqëruar me gafatë rënda në Shkodër. RilindësiPashko Vasa, i cili ka kontribuar përmes penës për lirinë e vendit tonë, poeti i mirënjohur Migjeni si dhe patrioti Luigj Gurakuqi janë radhitur në listën e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Kanë qenë veteranët e LANÇ-it që kanë konstatuar se në dy tabelat e vendosura nga bashkia e qytetit verior në Varrezat e Dëshmorëve, ishin vendosur emrat e dy poetëve të mëdhenj si dhe ai i patriotit Gurakuqi. Menjëherë, ata kanë kërkuar korrigjimin e kësaj gafe.
Kjo është gafa e dytë që Bashkia e këtij qyteti bën gjatë festave të nëntorit. Gjatë kremtimit të 102-vjetorit të Pavarësisë, simboli ynë kombëtar nuk ishte vendosur në pozicionin e duhur, pasi shqiponja dykrenore qëndronte horizontal në flamur.
GAFAT NE FESTIME
Ngjan si lajthitje, por Pashko Vasa, Migjeni dhe Luigj Gurakuqi janë renditur dje mes 68 emrave të dëshmorëve të Shkodrës që dhanë jetën në luftën për çlirimin e vendit nga pushtuesit italianë dhe gjermanë. Tre personalitetet në fjalë nuk kanë lidhje me Luftën e armatosur Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Por, dy tabelat me emrat e tyre dhe të dëshmorëve të tjerë janë vendosur në Varrezat e rikonstruktuara të Dëshmorëve në periferi të qytetit të Shkodrës. Jo vetëm kaq, por emri i Pashko Vasës është vendosur i pari, në tabelën ku lexohej me shkronja të mëdha “Lavdi dëshmorëve të LANÇ”.
Emri i Migjenit është renditur i treti, ndërsa i Luigj Gurakuqit, i gjashti. Gafa e radhës e Bashkisë së Shkodrës ka indinjuar veteranët e këtij qyteti, të cilët dje morën pjesë në ceremoninë e festës së 29 Nëntorit. Në momentin që veteranë, qytetarë dhe drejtues vendorë kanë shkuar për të vendosur kurora me lule në Varrezat e Dëshmorëve, kanë vënë re gafën e bashkiakëve.
“Është e pafalshme që të bëhen gjëra të tilla. Madje duket e habitshme, por ja që shkodranët u dashka të mësojnë se Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi, madje edheMigjeni janë dëshmorë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Një dorë e paditur, e nxituar, ndoshta dhe provokuese, bëri një gafë të tillë”, thanë dje për “Gazeta Shqiptare”, disa veteranë.
Një tjetër gafë u bë edhe gjatë festimeve më 28 Nëntor.















