Kreu i qeverisë Edi Rama, kryeparlamentari Ilir Meta, Presidenti Bujar Nishani dhe ministra të qeverisë kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora me lule, në Monumentin e Pavarësisë në Vlorë me rastin e 102 vjetorit të pavarësisë.
Në një ceremoni e cila filloi me ngritjen e flamurit nga kampionët e botës në peshëngritje Romela Begaj dhe Daniel Godelli, Rama, Meta dhe Nishani vendosën kurora me lule, duke u përkulur para monumentit.
Ndërkohë pranë Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Tiranë, bën homazhe kryedemokrati Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha dhe përfaqësues të tjerë të opozitës, duke e kujtuar në dy ceremoni të veçanta këtë ditë.
Kryedemokrati Lulzim Basha, në fjalën e mbajtur për mediat pas vendosjes së kurorës me lule, deklaroi se sot kujtohett dita e Pavarësisë por edhe e Çlirimit, duke konfirmuar kështu ndasitë mes mazhorancës dhe opozitës për ditën e Çlirimit.
“Gëzuar ditën që bashkon festën e shqiptarëve, gëzuar 70 vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë dhe ditën e Pavarësisë. Pavarësia dhe liria i kanë rrënjët në sakrificët sublime tek të rënët. Sot është ditë nderimi së pari për sakrificën e tyre, në ditën e Shqipërisë, të Shqipërisë së lirë, të pavarur, demokratike dhe europiane”, u shpreh Basha./a.y/noa.al/















