Zhvillimi i korridoreve hekurudhore të Europës dhe Ballkanit është faktor i rëndësishëm për intensifikimin e bashkëpunimit mes shteteve ballkanike në sektorin hekurudhor. Kështu thanë pjesëmarrësit e konferencës rajonale në sektorin hekurudhor i cili u mbajt në Ohër në organizim të Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Maqedonisë Infrastruktura.
Drejtorët e kompanive hekurudhore nga Shqipëria, Bullgaria, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kosova në këtë konferencë theksuan se Korridoret paraqesin arterie kryesore e trafikut hekurudhor të cilat i lidhin shtetet e Ballkanit mes vete si në aspektin e komunikacionit po ashtu edhe në aspektin ekonomik.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike Hekurudhat e Maqedonisë Infrastruktura , Irfan Asani theksoi se qëllimi i kësaj konference është shkëmbimi i mendimeve dhe përvojave për zhvillimin aktual dhe të ardhshëm të hekurudhave në rajon , sepse rajoni i Ballkanit me pozitën e saj gjeostrategjike paraqet udhëkryq të rëndësishëm ndërmjet Evropës perëndimore, të mesme dhe jugore dhe me shtetet e kontinentit Aziatik.
“Që hekurudha të jetë konkurrente në tregun transportues në krahasim me mënyrat e tjera transportuese e nevojshme është sigurimi i investimeve në modernizimin e infrastrukturës dhe të mjeteve transportuese . vetëm me modernizim të sistemit hekurudhor është e mundshme ofrimi i kushteve më të mira në aspektin e shpejtësisë më të madhe me qëllim që të tërhiqen një numër më i madh i pasagjerëve dhe një sasi më e madhe e mallrave për transport”, tha Asani.
Zëvendës drejtori i Hekurudhave Bullgare Zllatin Krumov u shpreh se ndërtimi i Korridorit 8 është i rëndësishëm si për Bullgarinë ashtu edhe për Maqedoninë e Shqipërinë sepse tre shtetet do të lidhen me portet e Varnës dhe Durrësit.
“Bullgaria angazhohet që ky Korridor të ndërtohet sa më shpejtë sepse ka përfitime ekonomike për tre shtetet. Pikërisht për këtë Bullgaria si anëtare e Bashkimit Evropian lobon në institucionet financiare ndërkombëtare që ky Korridor të jetë edhe prioritet i tyre”, tha Krumov duke shtuar se ndërtimi i gjithë Korridorit 8 nga Bullgaria deri në Shqipëri pritet të përfundojë në vitin 2020.
Zëvendës ministri i transportit dhe lidhjeve Nimetulla Halimi theksoi se Qeveria e Maqedonisë rëndësi të madhe i kushton zhvillimit të Korridoreve hekurudhore.
“Me shumë të drejtë themi se Qeveria e Maqedonisë maksimalisht është e përkushtuar në krijimin e një pamje të re të sektorit hekurudhor në Maqedoni” deklaroi Halimi para të pranishmëve.
Sipas drejtorit të kompanisë hekurudhore kosovare Тrainkos Betim Gjoshi, kjo konferencë është një fillim i mirë nga e cila priten rezultate pozitive.
“Konsideroj se qëllimi i organizimit është i mirë dhe do të jetë frytdhënës, konsideroj se edhe problemet brengat kemi rast ti diskutojmë si për zhvillim të mëtutjeshëm por edhe për një orientim me te mirë te realizimit te transportit hekurudhor, duke pasur parasysh se në rajonin e Ballkanit ende transporti rrugor dominon kundrejt atij hekurudhor”, tha Gjoshi.Ndërsa drejtori i hekurudhës shqiptare Genci Alizoti , u shpreh se çelësi për lidhje hekurudhore mes shteteve ballkanike është Korridori 8.
“Në kuadër të këtyre zhvillimeve ,në Ballkan, rol specifik ka Korridori 8, i cili në veçanti luan një rol për lidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor midis tyre dhe të këtyre të fundit me Europen Juglindore” tha mes tjerash Alizoti.
Drejtori i Ndërmarrjes hekurudhore Transport Oliver Derkoski tha se kjo konferencë rajonale është shenjë se shtetet ballkanike kanë vullnet bashkërisht të ndërtojnë rrjet modern hekurudhor e cila do të mundësojë transport të shpejt efikas si në transportin e pasagjerëve po ashtu edhe në transportin e mallrave. Konferenca rajonale në sektorin hekurudhor pritet të jetë tradicionale.















