Në Prishtinë ka filluar Panairi i prodhimeve shqiptare “Blej shqip”, ku po ekspozohen vetëm prodhime shqiptare nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia. Prodhimet shqiptare “Blej shqip” do të jetë kryefjala e këtij aktiviteti, ku për herë të parë bëhen së bashku 113 kompani mbarë shqiptare.
Në panair i cili po shtrihet përgjatë sheshit “Skënderbeu”, “Nënë Tereza” dhe “Zahir Pajaziti”, po marrin pjesë 50 kompani nga Kosova, 50 nga Shqipëria dhe 13 nga Maqedonia.
Prodhimet shqiptare të mbizotërojnë në tregjet shqiptare e cila do të ishte një mbështetje shumë e madhe për hapësirën shqiptare kudo në rajon, thanë gjatë vizitës së që i bënë panairit, zyrtarë të Komunës së Prishtinës dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemal Minxhozi.
Drejtori i Ekonomisë dhe Zhvillimit në Komunën e Prishtinës, Genc Bashota, tha se Panairi “Blej shqip” është unik në të cilin po marrin pjesë vetëm kompanitë shqiptare.
“Ideja është që pak a shumë kompanitë shqiptare, kosovare por edhe ato të Maqedonisë që janë shqiptarë të gjejnë një vend ku mund të shkëmbejnë përvojat e tyre në anën tjetër edhe konsumatorët të njihen me prodhimet vendore, përndryshe e veçanta e panairit është se të gjitha kompanitë janë nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia”, ka thënë Bashota.
Ndërkaq, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se festa e flamurit tashmë ka filluar dhe se bashkërisht kompanitë shqiptare po bëjnë një promovim të madh të vlerave ekonomike në mbarë rajonin.
“Festa e flamurit ka filluar dhe sot po bëhemi gati për të pritur jo thjesht me këngë e valle, por me prodhime shqiptare, blej shqip, do të jetë sot e nesër kryefjala e këtij aktiviteti të madh ku për herë të parë bëhen së bashku 113 kompani shqiptare që do të thotë që është një promovim shumë i madh i vlerave ekonomik i mbarë rajonit. Me këtë do të jetë një nxitje më e madhe e iniciativave të ndryshme në të gjithë hapësirat shqiptare që të shikohet mundësia që të prodhojmë shqip, të blejmë shqip dhe që të shkëmbejmë shqip”, tha ai.
Minxhozi tha se panairi do të jetë tradicional. Vitin e ardhshëm sipas tij, do të ketë një dyfishim të prodhimeve shqiptare. Ky aktivitet e ka rëndësinë e madhe sepse po bëhet në vigjilje të festës së madhe të pavarësisë.
Ndërkaq, nesër në një ceremoni të hapjes së panairit do të marrin pjesë kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe ministri nga Shqipëria, Arben Ahmetaj.















