Deputeti i Partisë Demokratik Luciano Boçi deklaroi sot se drejtori i emëruar në krye të OSHEE në Lushnjë, ka abuzuar me biznesin e tij, me 1 milion e 600 mijë lekë energji të papaguar, dhe vazhdon të jetë në detyrë.
Sipas Boçit, qeveria mbron vjedhjen që i bën vetë energjisë, me gënjeshtra të ulëta.
“Ne denoncuam me prova faktin se administratorët e qeverisë, të emëruarit e Edi Ramës, janë hajdutë të energjisë. Rasti i drejtorit të OSHEE në Lushnjë, që vidhte energji me biznesin e tij, dhe nuk e paguante duke qenë debitor me 1 milion e 600 mijë lekë, është emblema e keqqeverisjes”.
Deputeti deklaroi se ata që nuk paguajnë dot 10 mijë lekë drita se nuk kanë punë, dhe nuk kanë mundësi të ushqejnë fëmijët, kjo qeveri i çon në burg.
Sipas PD-së, Edi Rama sulmon opozitën, në vend të ndjesës dhe nxjerrjes para ligjit të përgjegjësve të këtij skandali,.
“Edi Rama nuk mjaftohet me emërimin e hajdutëve të energjisë si drejtorë të energjisë. Për t’i mbrojtur kur kapen me presh në duar, ai është gati të gënjejë, të mashtrojë dhe të shpifë”, tha Boçi.
















