Nga Pirro PRIFTI
I ashtuquajturi historian, Romeo Gurakuqi në shkrimin e tij të ditës së premte të dt. 20 nëntor tek Panorama me titull ‘Lufta nacional-çlirimtare dhe lufta civile në Shqipëri’, por dhe në debatet e tij televizive, vazhdon të nxisë debate shterpë. Por, ajo që është më seriozja, nëpërmjet këtij shkrimi ashtu sikurse dhe në debatet e disa ditëve më parë tek Klan, po tregon edhe njëherë se sa vështirë e ka një person të quhet historian, kur në fakt personi nuk ka njohuritë bazë se çfarë quhet luftë civile dhe çfarë quhet luftë çlirimtare, se kush është hero e kush është tradhtar. Pa këto njohuri bazë na del problemi i vjetër alla ‘Shaban Memia’ ku personi mbaron shkollën e lartë pa mbaruar të mesmen. Sidoqoftë, pa i hyrë problemit për arsimin dhe kulturën personale të personit që mban një mbiemër të madh (por vetëm e mban dhe nuk e meriton deri tani), dhe megjithë respektin për shfletimin e literaturës anglo-amerikane (sipas tij), sepse nuk është njëlloj të shfletosh letrat dhe të dhënat e arkivit, por kur je në rolin e ‘Din Pakut’ sigurisht do të nxjerrësh konkluzione ‘Din Paku’, dhe tjetër është në pozitën e një profesionisti që kur del në media flet gjëra serioze e jo marrëzira. Sa për kureshtje, të shohim se ç’thotë Konventa e Gjenevës dhe Kryqit të kuq për luftën civile.
Konventa e Gjenevës nuk e përcakton egzaktësisht se çfarë është lufta civile, por përmend se Lufta civile është: …një përgjegjësi e partive që marrin pjesë në një konflikt të armatosur, por jo të karakterit ndërkombëtar!”. Kjo përfshin luftrat civile, pa ndonjë përcaktim specifik. Gjendjet që pranohen si luftë civile nga ICRC (International Committy of the Red Cross) janë: – Partia në revoltë kundër qeverisë de jure zotëron një forcë të organizuar ushtarake, një autoritet përgjegjës për këto veprime, të cilat janë brenda një territori të caktuar dhe që kanë mjete të respektimit për konventat. – Qeveria Ligjore detyrohet që të ketë mbështetje të forcave të ushtrisë së organizuar të saj kundër kryengritësve po të organizuar dhe ata si një ushtri, dhe në zotërim të një pjese të territorit kombëtar.
– Qeveria de jure t’i ketë pranuar, ti njohë kryengritësit si ndërluftues; ose ashtu si pretendojnë kryengritësit për të drejtat e tyre si palë ndërluftuese; ose ka pranuar njohjen e kryengritësve si palë ndërluftuese për qëllime vetëm bazuar në konventat e pranishme; ose që konflikti ka qenë pranuar në axhendat e Këshillit të Sigurimit ose në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si një kërcënim për paqen apo për prishje të paqes, ose si një akt agresioni.
– Kryengritësit të kenë një organizatë që kanë qëllime dhe karakteristika të njëjta me ato të një shteti (ligjor); Autoritetet civile të kryengritësve të ushtrojnë de facto, autoritet mbi popullatën brenda një pjese të përcaktuar të territorit kombëtar; Forcat e armatosura të jenë nën drejtimin e një autoriteti të organizuar dhe të jenë të përgatitura për të observuar ligjet e zakonshme të luftës; Autoritetet civile të kryengritësve të pajtohen dhe të jenë të lidhur me dispozitat e Konventës (http://en.wikipedia.org/wiki/Civil_war). Autorë të tjerë kanë shprehur afërsisht të njëjtat ide për luftën civile si p.sh., James Fearon, një profesionist për luftrat civile në Universitetin e Stanfordit e përcakton luftën civile si “një konflikt violent brenda vendit, në të cilin luftojnë grupe të organizuara me synimin që të marrin pushtetin në qendër apo rajon, apo të ndryshojnë politikat aktuale qeveritare”. Profesori tjetër, Ann Hironaka (autor i librit ‘Neverending wars’) specifikon më tej se… njëra anë e luftës civile është shteti… Intensiteti në të cilin problemet civile transformohen në luftë civile është e kontestuar nga akademikët. Disa profesorë të shkencave politike e përcaktojnë luftën civile si pasjen e më shumë se 1000 viktima, ndërsa disa të tjerë specifikojnë se edhe të paktën 100 viktima për secilën palë përbëjnë luftë civile (Collier, Paul; Sambanis, Nicholas, eds. (2005). Understanding Civil War:Evidence and Analysis. 1: Africa. Washington, DC: The World Bank. ISBN 978-0-8213-6047-7.).
Merreni me mend të nderuar lexues se çfarë argumentesh sjell i nderuari Gurakuqi për luftën nacional-çlirimtare. Asnjë nga argumentat e tij nuk i afrohet asnjë definicioni për luftën civile në të cilën luftë civile quhet tekstualisht si një luftë e dy ose më shumë grupeve të organizuara për të marrë pushtetin, luftë e cila konsumon dhe shkatërron vendin. Luftra civile kanë qenë në Somalia, Burma (Myanmar), Uganda dhe Angola, Sudan, Kamboxhia, Siri. Në asnjë nga këto vende nuk kishte pushtues siç ndodhi në luftën nacional-çlirimtare në Shqipëri. Pra në Shqipëri, lufta nuk lindi për të marrë pushtetin dhe as partitë e krijuara nuk kishin si përparësi marrjen e pushtetit, por kishin përparësi çlirimin e vendit. Këtë, partitë dhe organizmat e krijuara në Shqipëri e realizuan me formimin e Frontit Demokratik, i cili e çliroi Shqipërinë, madje çliroi dhe territore jashtë vendit, nën kryesimin e PK. Argumentet e pseudo-historianit Gurakuqi janë kryekëput jo profesional,e kur thotë se pati luftë civile. Jo, i nderuar!
Në shkrimin e tij, por dhe debatet e tij në televizion, sa jo-profesional, por dhe deformues për një histori fitoreje dhe përpjekjeve të popullit shqiptar për të larguar pushtuesit është i bazuar në disa argumente sa diabolike ashtu dhe të pasakta: – Se luftën e drejtoi Enver Hoxha, në një kohë kur emri i Enver Hoxhës si person drejtues u shfaq për herë të parë në popull në vitin 1946! – Se përçarja paska filluar në ‘43 kur kapitulloi Italia fashiste, dhe se lufta kundër Italisë na paskësh qenë çlirimtare deri atëhere?! Kurse Gjermania, sipas tij ishte në kalim e sipër… dhe nuk paska qenë pushtuese?! – Se Veriu nuk ishte me ‘komunistët’ e Jugut, të cilët e pushtuan Veriun (marrëzi të papara nga goja e një historiani).
– Se pushtimi italian apo dhe ai gjerman krijoi mundësinë që të realizohej Shqipëria etnike (?!), por ‘komunistët’ nuk deshën. – Mbivendos dhe ngatërron luftën nacional çlirimtare me vendosjen e Diktaturës komuniste pas vitit 1946, duke i atribuar Enver Hoxhës merita që nuk i kishte.
Argumenti luftë civile është një shpikje djallëzore për të justifikuar tradhtinë e një organizate si Balli Kombëtar dhe Legaliteti ndaj përpjekjeve për çlirimin e vendit. Për këtë arsye, por dhe për ndonjë arsye tjetër individuale të tij (p.sh., ‘më mirë nami se syri’, për të vënë në dukje emrin e tij si historian për të mirë a për të keq), pseudo-historiani Romeo Gurakuqi nëpërmjet shpikjes ( gjithashtu jo të tij) të luftës civile dhe më qesharakja ajo e viteve 43-45 (?!), kërkon të bëjë apologjinë e tradhtisë së drejtuesve të Ballit Kombëtar dhe të drejtuesve dhe atyre që morën pjesë në qeverisjet kuislinge. Ky është një turp i vërtetë për ata që e dëgjojnë, por më tepër për ata që e miratojnë këtë marrëzi. Në këtë mënyrë, Historia e Shqipërisë mesa duket edhe në të kaluarën është deformuar, apo fshirë fare, pikërisht nga njerëz të tillë, të cilët duke patur në dorë disa mjete si media, apo miqësitë, pushtetarë bëhen apollogjetë të tradhtisë, duke e justifikuar me një argument edhe më të poshtër- luftë civile- në një kohë që lufta ishte edhe nacional edhe çlirimtare, dhe se nuk e luan as topi dhe as marrëzitë e Din Pakëve. Së fundmi, argumentet për luftën nacional çlirimtare janë sa të qarta aq edhe të njohura në të gjithë botën:
– Lufta Nacional Çlirimtare ishte një luftë e drejtuar nga Fronti nacional-çlirimtar kundër një pushtuesi të huaj.
– Fronti Demokratik në drejtimin e komunistëve u përfshi në koalicionin anti-fashist ndërkombëtar të drejtuar nga SHBA-Angli-BRSS dhe zbatoi urdhrat e tij në luftën kundër italo-gjermanëve.
– Prania e delegacionit anglez ne shtabin e përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare si dhe të disa ushtarakëve amerikanë e konfirmon këtë (pa zënë në gojë bashkëpunimin me ushtrinë e Titos që ishte anëtare e koalicionit anti-fashist gjithashtu).
– Rënia e shumë dëshmorëve në luftë kundër pushtuesve, shumica dërrmuese e të cilëve ishin pjesë e Frontit Demokratik dhe nuk ishin komunistë.
Në përfundim mund të them që, i nderuar Gurakuqi duhet të rivlerësojë njohuritë e tij përsa i përket historisë dhe koncepteve bazë sepse dalja në media për hir të ‘namit’, nuk mund të justifikojë shijen e hidhur të amatorizmit të një historiani si ai.















