Në Preshevë u zhvillua Festivali i Komedisë mbarëkombëtare ku morën pjesë 6 trupa nga trevat shqiptare. Në këtë festival u përfaqësua edhe trupa e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës me pjesën “Rëndësia e Seriozitetit ” e Oscar Wilde, e përkthyer nga Zef Zorba. Trupa e Teatrit të Shkodrës shkoi në këtë takim pas një suksesi që kjo shfaqje pati në qytetin e tyre.
Trupa e Teatrit të Shkodrës ka pasur një aktivitet të ngjeshur artistik gjatë këtij viti dhe ka disa projekte në vazhdim. Regjisori i këtij teatri Fatbardh Smaja, para pak kohësh realizoi një shfaqje ku u festua 80 vjetori i artistit të merituar Paulin Preka. Një shfaqje e konceptuar edhe si një festë ku gjithkush natyrshëm, miq e kolegë të Paulinit, sollën surpriza nga jeta e tij skenike. Tani është duke rivënë në skenë shfaqjen “Gjaku i Arbrit ” me një koncept të ri regjisorial e skenik. Më 22 nëntor, do të organizohen në Kukël “Ditët e Ndre Mjedës”, ku poetë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia do të sjellin poezi të shkruara për figurën e Mjedës. Më 29 Nëntor, ky teatër do të organizoj një koncert me poezi e muzikë në kuadrin e 70 vjetorit të çlirimit të Atdheut.
















