Qendra P.E.N e Shqipërisë, Qendër e “P.E.N International” në Tiranë organizoi dje në Ministrinë e Kulturës aktivitetin vjetor, ku shpalli çmimet “P.E.N Albania 2014” në letërsi.
Në prani të shkrimtarëve, albanologëve, akademikëve e gazetarëve, u shpërndanë nga PEN Klubi shtatë çmime midis të cilave ai “P.E.N Albania 2014”, “Shkrimtari shqiptar i vitit 2014”, “Poeti shqiptar i vitit 2014” dhe “Përkthyesi i vitit 2014”.
Shkrimtari Sadik Bejko, sekretari i “Albanian Pen Centre” në fjalën e hapjes u shpreh se “Qendra P.E.N realizon për ndarjen e çmimeve, të cilat promovojnë vlerat, punën dhe kontributin në letërsi, prozë, poezi e përkthim dhe promovimin e tyre edhe jashtë kufijve”.
Mes pjesëmarrësve Ekrem Kryeziu fitoi çmimin “P.E.N Albania 2014”, Selajdin Saliu atë “Poeti shqiptar i vitit 2014”, Hysen Sinani u nderua me çmimin “Përkthyesi i vitit 2014” dhe Mërgim Osmani u vlerësua me “Pen Dispora”, ndërkohë që u shpërndanë edhe çmime mirënjohje dhe nderi për autorë si Natsha Lako apo Sabri Maxhuni Novosela.
Promovimi i veprave të autorëve shqiptarë, mbështetet në programin që Qendra P.E.N e Shqipërisë ka për promovimin e librave në gjuhën shqipe, pavarësisht kufijve gjeografikë dhe vendeve ku jetojnë autorët e tyre, duke respektuar të drejtën themelore të gjuhës, e cila është e garantuar nga karta e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, parime mbi të cilat mbështetet puna e P.E.N International, (Organizatë Ndërkombëtare për Shkrimtarët, me zyra në Londër), e cila ka status bashkëpunimi me OKB, UNESCO, etj.
Qendra P.E.N Albania përgjatë gjithë vitit zhvillon dhe të tjera aktivitete, ndërkaq që vetëm disa javë më parë, u zhvillua aktiviteti “Mbrëmje poetike”’, me pjesëmarrjen e poetëve Flutura Açka, Preng Maca, Sadik Bejko, Virion Graçi, Kozeta Zavalani, Ndue Gjika, Novruz Sheu dhe Denis Zejati.
Në këtë aktivitet nën kujdesin e “P.E.N Albania”, një vëmendje e veçantë iu kushtua veprës dhe jetës së Musine Kokalarit dhe Izet Shehut, titulluar “In Memoriam”, ku u lexuan poezi të dy autorëve tashmë të njohur për veprimtarinë e tyre në çështjet e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes në periudhën e diktaturës.

















