Panairi i Librit “Tirana 2014” një ditë para përfundimit të tij në edicionin e 17 ndau çmimet tradicionale që kanë shoqëruar panairin në çdo edicion. Juria e përbërë nga Virgjil Muçi (kryetar), Persida Asllani, Nasi Lera, Alfred Lela dhe Beti Njuma shpallën fituesit. Autori i vitit sipas jurisë u shpall shkrimtari Arben Dedja për përmbledhjen me tregime nen titullin “Histori eskatologjike”. Me profesion mjek Arben Dedja prej shumë vitesh jeton në Itali, dhe motivacioni që shoqëroi vlerësimin ishte: “Për prozën e ngjeshur me detaje pikante, stil tërheqës, gjuhë të rrjedhshme e të pasur, si edhe një rrëfim i jetës së diktaturës përmes një sensi të hollë humori, që i shoqëron personazhet në situatat groteske. Ky libër është një arritje për autorin, por edhe për prozën e shkurtër shqipe”. “Një falenderim për Bashkim Shehun, shkrimtarin që ma dorëzoi dorëshkrimin dhe më nxiti që të eci përpara në punën time. Bashkimin nuk e njoh se nuk e kam takuar kurrë, me të jemi lidhur vetëm për së largu. Shkrimtari ka nevojë që të jetë në vetmi, dhe unë pjesën e vetmisë duke qenë edhe jashtë vendit e kam, mirëpo në momentin që e mbaron një vepër ka nevojë për konsultim me dikë, që të të japë një nxitje për të ecur përpara. Unë këtë e gjeta te Bashkimi, të cilin shpresoj që një ditë ta takoj”, u shpreh në Dedja gjatë marrjes së çmimit. Kryetari i jurisë Virgjil Muçi sqaroi se Shoqata e Botuesve propozoi, ndër të tjera, dhënien e çmimit për “Librin më të mirë për fëmijë”, por nisur nga fakti që kjo kategori këtë vit pati ‘një zbaticë thuajse të plotë’, juria i propozoi Shoqatës dhënien e “Çmimit të Mirënjohjes”. Juria vlerësoi me “Çmimin e Mirënjohjes”, shkrimtarin, publicistin dhe përkthyesin Petro Zheji. Vlerësimi për “Përkthimin më të mirë të vitit” i shkoi Alina Karaullit, e cila ka shqipëruar romanin e shkrimtares se njohur Sharlot Brontë, “Xhejn Er”. Shkrimtari Ismail Kadare më herët para ceremonisë së çmimeve u vlerësua me çmimin special “Jeronim De Rada”. “Jam i nderuar dhe i prekur për këtë çmim që mban emrin e gjeniut të parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe poetit që e ndihmoi të lindte rilindja dhe u bë paraardhësi i dritës së madhe, që mbuloi në atë kohë Shqipërinë. De Rada riktheu letërsinë shqipe në orientimin europian që letërsia shqipe ishte duke e humbur”, theksoi mes të tjerave shkrimtari Kadare. Në 200-vjetorin e lindjes së arbëreshit, organizatorët e Panairit te Librit dhe Ambasada Italiane në Tiranë vendosën të akordonin për herë të parë një çmim të tillë. Kriteret e vlerësimit Sipas njoftimit të bërë prej Shoqatës së Botuesve, juria do të merrte në konsideratë dhe shqyrtonte vetëm ato vepra të paraqitura prej botuesve, ose edhe vetë autorëve, pranë zyrave të shoqatës brenda datës 31 tetor. Po kështu, një tjetër kriter ishte mospranimi i librave të paraqitur në panairin paraardhës, si edhe titujt e ribotuar plotësisht ose pjesërisht. Për të lehtësuar punën e botuesve dhe komunikimin me ta, juria ka qenë e hapur dhe ka pranuar libra edhe në trajtë elektronike ose në dorëshkrim. Jo më pak e rëndësishme, sipas jurisë së panairit, e drejta e konkurrimit u është njohur atyre autorëve e përkthyesve, botuesi i të cilëve është zyrtarisht pjesëmarrës në Panairin e Librit “Tirana 2014”. I çelur më datë 12 nëntor, sot është dita e fundit e Panairit të 17 të Librit, i cili solli më pak botime të reja dhe më shumë shtëpi botuese se një vit më parë. 108 tituj në konkurrim Kryetari i jurisë Virgjil Muçi në fjalën e tij u shpreh se u shqyrtua një krijimtari e pasur në të gjitha gjinitë letrare. “Jurisë i është dashur të kalojë nëpër duar 108 tituj nga të gjitha gjinitë: prozë, poezi, eseistikë, histori, publicistikë (duke qenë se në parim nuk ka filtër që përzgjedh e pengon kësilloj prurjesh), si nga autorë shqiptarë ashtu edhe të huaj, ndonëse, për hir të së vërtetës numri i këtyre të dytëve ka qenë më i madh se i të parëve. Pra, një numër i konsiderueshëm titujsh e autorësh për t’u lexuar e përzgjedhur. Do t’u kërkoja dashamirëve të librit, kritikëve që të na gjykojnë për veprat që kemi çmuar me çmim dhe jo për ato që nuk kanë fituar”, tha ai.
Historia e panjohur/ Si e shpëtoi Selanikun shqiptari Hasan Tahsin Pasha
Këtë të diel u mbushën 113 vjet që nga çlirimi i Selanikut nga perandoria osmane, më 26 tetor 1912. Gazeta...


















