VETON IBRAHIMI
Kur unë shpalosja qëndrimet e mia lidhur me zhvillimet politike në Maqedoni, sidomos gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, shumë pseudointelsktualë dhe pseudogazetarë të cilët janë moti kohë “na platen spisok”, dihet të kujt, me akuzonin për lloj -lloj gjërash. Duke filluar nga banalitetet se unë qenkam i lidhur patollogjikisht me PDSH-në dhe liderin e saj, deri tek ato se unë paguheshkam nga PDSH-ja. Të shkretët duke qenë se vetë janë të tillë mendojnë se gjithçka dhe gjithsecili ashtu vepron.
Të njëjtët atë botë por edhe tani, villnin vrerë nga “arroganca” e Mendu Thaçit, dhe po të njëjtët u ekzaltuan thuaja se patologjikisht nga “arroganca” e Edi Ramës në Beograd. Sipas tyre Mendu Thaçi ishte dhe vazhdon te jetë arrogant kur konstaton se shqiptarët janë në gjendje të mjerueshme në Maqedoni dhe ua thotë edhe VMRO-së edhe BDI-së drejt në sy, ndërsa Edi Rama ishte “hero” kur tha një të vërtetë dhe një realitet tashmë më shumë se 7 vjeçar se Kosova është shtet i pavarur dhe se ky realitet është i patjetërsueshëm.
Dallimi mes meje dhe juve pseudointelektualë dhe pseudogazetarë është se unë nuk mendoj se Mendu Thaçi është arrogant në kërkesat e tij dhe të partisë që ai udhëheq, sikundër nuk mendoj se Edi Rama kryeministër i shtetit shqiptarë është hero kur thotë një të vërtete. E kuptoj se keni nevojë për të krijuar heroin tuaj duke tentuar të ekzaltoni edhe masën e gjerë dhe të vishni kostumin e patriotëve të mëdhenj që ta keni më lehtë pastaj në misionin tuaj, në baltosjen dhe satanizimin e Mendu Thaçit dhe “arrogancës” së tij.
E vërteta është e vërtetë pavarësisht se nga kush thuhet, ku thuhet dhe si thuhet. Nuk mund të kemi dy standarde për të vërtetën dhe as nuk mund të shpallim as hero e as tradhtarë brenda natës për një të vërtetë të thënë. Sepse e vërteta nuk është monopol i juaji.
Ishit po ju që kishit shpallur hero dhe ishit ekzaltuar edhe nga Sali Berisha, atë kohë kryeministër i shtetit shqiptarë por edhe nga Hashim Thaçi kryeministër i shtetit të pavarur të Kosovës, të cilët më 22 nëntor të vitit 2012 në Shkup ishin “heronjtë” tuaj. Njëri kur tha një të vërtetë se ky shekull është shekulli i shqiptarëve, dhe tjetri kur tha se Kosova do të jetë gardiane e të drejtave të Shqiptarëve më Maqedoni. Tani jeni po ju që heronjtë tuaj i shpallët brenda natës tradhtarë për ti zëvendësuar me heroin tuaj të ri. Dhe krejt këtë mundoheni të na e shitni për patriotizëm.
As heronjtë tuaj të vjetër, tashmë tradhtarët tuaj, dhe as heroi juaj i ri, tradhtari i dikurshëm i juaj, nuk kanë nevojë as për njërin apo epitetin tjetër. Nuk jeni ju, për fat të mirë, ata që vendosni se kush qenkan tradhtarët apo kush heronjtë. Për ju gjithçka edhe mund të ndërron brenda natës sa hap e mbyll sytë. Tradhtari bëhet hero ndërsa heroi bëhet tradhtarë. Por për ju nuk ndryshon një gjë dhe ai është misioni juaj. E thash më lartë se cili është ai mision. Satanizimi i tradhtarit tuaj permanent Mendu Thaçit dhe politikës që ai ndjek. Këtë nuk mund ta ndërroni asnjëherë sepse për këtë edhe paguheni apo shpërbleheni nga heroi i juaj permanent, Ali Ahmeti.
Për hir të së vërtetës në këtë gjë ka kontribut edhe Mendu Thaçi. Sepse ju nxori në pozicion jashtë loje edhe juve edhe Ali Ahmetin bashkë me BDI-në e VMRO-në dhe LSDM-në, kur gjatë fushatës deklaronte se edhe me një deputet do të jetë pjesë e Qeverisë. E pamë se si ju ngriu buzëqeshja fillimisht për të shpërthyer pastaj në të gjitha mënyrat e mundshme të sulmit ndaj tij, nga frika se po ia merrte vendin në qeveri heroit tuaj permanent.
Tani sërish u nxori jashtë loje kur përshëndeti qëndrimin e Edi Ramës kryeministër të shtetit shqiptarë në Beograd dhe ua mohoi mundësinë e ekzaltimit të dyfishtë. Që brenda natës heronjtë tuaj të vjetër t’i zëvendësonit me heroin tuaj të ri, dhe njëkohësisht të vazhdonte satanizimi i tradhtarit tuaj permanent. Të dytën nuk e bëni dot më, të paktën jo për një kohë, edhe pse ne shqiptarët harrojmë shpejt.
Edhe herën e parë, pra gjatë fushatës elektorale por edhe tani,sipas mendimit tim, Mendu Thaçi bëri politikë. Bëri politik sepse ishte i detyruar për të ju demaskuar juve, dhe për t’ju pamundësuar që të vazhdoni ta sulmoni në mënyrë të shfrenuar. Ju edhe mund të vazhdoni ta bëni, por e dini edhe vetë se nuk ju pinë ujë, të paktën jo për një kohë derisa të kenë harruar shqiptarët.
Edhe Kryeministri Edi Rama nuk shkoi në Beograd privatisht, por si kryeministër i shtetit shqiptarë dhe bëri detyrën që ia ngarkon kushtetuta. Mbajti qëndrimin zyrtar të shtetit shqiptarë. Por nuk shpëtoi dot nga populizmi që ia atribuuan të tjerët më shumë se sa ia vetes. Bëri edhe pak politikë, sigurisht për të përmirësuar imazhin e tij tek shqiptarët në Kosovë, Maqedoni dhe Luginë.
Për të mos u keqkuptuar. Absolutisht dakord me qëndrimin zyrtar të Edi Ramës kryeministër i shtetit shqiptarë gjatë vizitës në Beograd, por jo me populizmin për përfitime ditore politike.
Që ta mbyll. Pra edhe Edi Rama kryeministër pati doza populizmi, mbase edhe i detyruar për të përmirësuar imazhin tek shqiptarët e ish Jugosllavisë dhe pse jo edhe tek një pjesë brenda Shqipërisë. Edhe Mendu Thaçi ishte populist, mbase ndër të rrallat hera, ishte në sinkron publik me pjesën dërmuese të shqiptarëve të Maqedonisë. Sigurisht mund të ketë zgjedhje të parakohshme në Maqedoni dhe minimumi, duhen parandaluar sulmet e paskrupullta që i vijnë nga të gjitha anët, nga pseudointelektualët dhe pseudogszetarët vetëm e vetëm ta kursejnë heroin e tyre permanent Ali Ahmeti.
p.s
Për të gjithë ju që kur mbështesja PDSH-në dhe Mendu Thaçin publikisht, më jepnit lloj- lloj etiketime, tani që jam kritik ndaj populizmit të tij, shpresoj të mos më shpallni hero brenda natës dhe as reformist. Nuk e meritoj asnjërën. Të parën se jam shumë i vogël edhe për nga gjatësia, dhe të dytën se nuk e kam frizurën e gjatë si dhe kam filluar të mbaj pak mjekër. Besë kam patur gjithmonë, nuk më duhet për publicitet. Preferoj të mbetem “fukara por ama i lirë”!
















