Për vitin e ardhshëm Ministria e Jashtme do të ketë më shumë fonde në dispozicion, për shkak të mbylljes së ambasadave, por edhe për shkak të një marrëveshjeje me shërbimin sekret, sipas së cilës, oficerët e SHISH-it nuk do të paguhen më nga Ministria, por nga vetë institucioni. Kështu bëri të ditur dje ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në raportimin e tij në Komisionin për Politikën e Jashtme, ku u diskutua rreth shifrave të projektbuxhetit për vitin 2015 akorduar këtij dikasteri. “Për herë të parë rakorduam bashkë me SHISH-in një marrëveshje, sipas së cilës, të gjithë punonjësit e këtij Shërbimi, që sot për sot mund të jenë në ambasada të caktuara shqiptare, duke filluar nga viti tjetër, shpenzimet e tyre nuk do të mbulohen më nga buxheti i MPJ-së, si deri më sot, por nga vetë buxheti i SHISH-it. Kjo është e njëjta skemë që bëjmë dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, e cila paguan ata punonjës të saj që janë në përfaqësitë tona diplomatike. Dhe nga ky zë do të çlirohet një fond, i cili po ashtu do t’i shërbejë veprimtarisë se selive diplomatike ne vendet e tjera”, – tha Bushati. Më tej, kryediplomati shqiptar bëri të ditur se fondet buxhetore për vitin e ardhshëm kanë shënuar një rritje me rreth 15 milionë lekë, të cilat do të shkojnë për mbështetjen e selive diplomatike dhe konsullore jashtë vendit. Ai tha se rritje në buxhetin e MPJ-së pëson zëri i shpenzimeve operative dhe ai investimeve, ndërsa përmendi një fond prej 357 mijë euro, të cilat do t’u rialokohen ambasadave shqiptare jashtë vendit. Fondi në fjalë, sipas ministrit, u bë i mundur pas mbylljes së disa përfaqësive diplomatike dhe konsullore shqiptare, aktiviteti i të cilave do të mbulohet nga ambasada të tjera. Në vijim, ministri sqaroi: “Vitin e ardhshëm do të inaugurohet ambasada jonë në Uashington DC, gjithashtu dhe selia e Ballkanit Perëndimor, në Tiranë”, – tha ai ndërsa theksoi se një diplomat karriere i kushton shtetit shqiptar 50 mijë euro.
Serbia
Ndërkaq, ministri gjatë raportimit preku edhe problematikën e marrëdhënieve me Serbinë, ku i pyetur nga deputetët nëse nevojiten më shumë fonde për të përballuar kriza vështirësi të tilla diplomatike, zakonisht të papritura, Bushati sqaroi se më i rëndësishëm se burimet financiare është vizioni. Sipas tij, diplomacia shqiptare e përballoi shumë mirë situatën e krijuar pas ndeshjes Serbi-Shqipëri pavarësisht buxhetit që kjo ministri ka në dispozicion. “Mund t’ju them që në të gjitha mediat më prestigjioze ndërkombëtare në të gjitha forumet më prestigjioze ndërkombëtare, siç e demonstron edhe ky buxhet apo edhe ai i vitit të kaluar, nuk ka asnjë zë që të mbështesë propagandimin e Shqipërisë. Të gjitha qëndrimet, komentet dhe analizat janë bërë me kosto zero”, – tha ai. Këtë çështje Bushati e komentoi edhe për gazetarët pas mbylljes së mbledhjes, ku tha se vizita në Serbi përbën një hap të rëndësishëm në përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. “Ky është një kapitull i ri për vetë faktin që ne konkluduam marrëveshje të rëndësishme, një pjesë e të cilave ishin të inspiruara nga procesi i Berlinit. Por duhet të jemi realist, kjo vizitë ndodh pas 7 dekadash dhe do të ishte një sinjal i mirë që të punohej për vizitën e Vuçiçit në Tiranë dhe po ashtu krahas marrëveshjeve të punohet edhe për zvogëlimin e diferencave, në fushën e ekonomisë, infrastrukturës, ku në kuptimin politik, gjeopolitik dhe gjeoekonomik, Tirana dhe Beogradi kanë një peshë të posaçme në rajon, Tirana edhe më shumë për faktin që jemi edhe anëtarë të NATO-s”, – pohoi ministri.
















