Panairi i 17-të i Librit “Tirana 2014” hapi sot siparin për të gjithë qytetarët. Ky panair u çel paraditen e sotme dhe do të qëndrojë i hapur për 5 ditë, deri më 16 nëntor.
Në stendat e vendosura në Pallatin e Kongreseve janë vendosur 96 Shtëpi Botuese, midis tyre edhe nga Kosova e Maqedonia.
Në fjalën e tij gjatë konferencës për shtyp në hapjen e këtij panairi kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, theksoi se vëmendje të veçantë i është dedikuar edhe aktiviteteve në përkujtim të 200-vjetorit të lindjes së autorit arbëresh, Jeronim De Rada.
Duke njoftuar për librat e rijnë dhe të botuesve, Ymeri kujtoi se sivjet çmimi kryesor që do të ndahet për autorin më të mirë, do të jetë “Çmimi Jeronim De Rada”.
Ymeri: 96 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia
“Këtë vit në panair marrin pjesë 96 botues nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Do të prezantohen dhjetëra tituj të rinj të letërsisë shqipe dhe asaj të huaj do të ketë mjaft autorë shqiptarë në stenda që do të bashkëbisedojnë drejtpërdrejt me lexuesin, dhe do të jepet çmimi i veçantë “Jeronim de Rada” me rastin e 200 vjetorit të lindjes së poetit të madh e të papërsëritshëm shqiptar që mbajti gjallë ëndrrën shqiptare të lirisë dhe ëndrrën e rikthimit të Shqipërisë në kontinentin nënë në Evropë”, deklaroi kryetari Petrit Ymeri.


















