Për nder të 70-vjetorit të Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa me Kryesinë e LDK-së, sot do të vënë kurora lulesh tek varri i presidentit Rugova.
Presidenti i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova, mbetet një nga figurat më të respektuara, që ka organizuar lëvizjen politike më të madhe shqiptare në Kosovë dhe ishte angazhuar për një projekt politik fisnik.
Ish-presidenti Ibrahim Rugova, është cilësuar si presidenti historik dhe arkitekti i pavarësisë së Kosovës. Jeta dhe veprimtaria e presidentit të parë dhe historik të Kosovës, është vlerësuar se e bën popullin e Kosovës të ndjehet krenar për rrugën që e ka kaluar.
Ibrahim Rugova ka qenë kryetar i LDK-së që prej themelimit dhe deri në janar 2006, kur edhe u nda nga jeta.
Po ashtu është vlerësuar se Rugova krijoi një model të veçantë të udhëheqjes dhe të rezistencës, duke ngritur dhe duke formësuar një shtet të pavarur, të bazuar në besën dhe solidaritetin shqiptar. Rugova, më mirë se çdo kush tjetër, provoi se Kosova i përket Evropës, jo vetëm gjeografikisht dhe historikisht, por edhe politikisht dhe kulturalisht.
Vepra dhe trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës është vlerësuar si angazhim jetësor për ta forcuar Kosovën si shtet ligjor dhe demokratik, të inkuadruar në BE dhe NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
















