Ooomstories platforma më e madhe e mediave në Gjermani, sikundër çdo vit ka publikuar listën e njerëzve më inspirues për vitin 2017. Për herë të parë në këtë listë me 100 njerëzit më të rëndësishëm dhe më me influencë sa i takon inspirimit është edhe një shqiptare, Mirela Sula. Mirela është pjesë e listës për kontributin e saj si aktiviste, grua e suksesshme dhe themeluese e ‘’Global Woman’’, një platformë e rëndësishme për fuqizimin e zërit të gruas në të gjithë botën. ‘’Global Woman’’ është shpërndarë gjeografikisht në disa vende të botës, duke pasur ambasadorët e saj. Mirela Sula është vlerësuar në këtë listë edhe për seminaret dhe forumet e rëndësishme që ajo organizon në funksion të rritjes intelektuale, emocionale dhe financiare të gruas në të gjithë botën, si rrugë që domosdo ndikon në pavarësinë e tyre të mëvetësishme. Në këtë listë janë disa nga figurat më të rëndësishme të jetës publike botërore, si :Donald Trump, Papa Françesku, Elton Musk, Dalai Lama, Emmanuel Macron, Mark Zuckerberg, Bill Gates, Barack Obama, Princi Harry, Meryl Streep etj. Revista OOOM, në fokusin e saj ka gjithnjë njerëzit vizionarë, pionierë dhe udhëheqës frymëzues në botë. Ajo është ndër revistat kryesore në vendet gjermanofolëse.
”OOOM 100” (lista me 100 njerëzit më frymëzues në botë) u zgjodh nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga personalitete frymëzuese si filozofi i shkencës dhe themeluesi i klubit të Budapestit Ervin Laszlo; presidenti i Rrjetit Global Footprint Mathis Wackernagel (shpikësi i gjurmës ekologjike); Stefan Sagmeister (Sagmeister & Walsh, NYC), një nga dizajnerët kryesorë botëror; Hans Ulrich Obrist, drejtor artistik i ‘’Serpentine Galleries’’ Londër, dhe një nga njerëzit më me ndikim në botën e artit bashkëkohor; Roger Nelson, profesor në Princeton dhe themelues i Projektit të Ndërgjegjësimit Global; Josef Penninger, drejtor shkencor në Institutin e Bioteknologjisë Molekulare, Vjenë, një shkencëtar dhe gjenetist me famë botërore; si edhe autori bestselling i SHBA Dean Radin, në mesin e stafit editorial të OOOM dhe të tjerëve. Ky sukses i Mirelës vjen pas promovimit të librit në sallën e parlamentit anglez ‘’50 histori frymëzuese të grave emigrante’’ dhe pas fitimit të çmimit ‘’Gruaja e vitit’’ në Angli.
Burimi: www.ooom.com Përshtati:diell-online.al

























