Një nga detyrimet kushtetuese të çdo funksionari dhe institucioni të lartë është transparenca publike. Pjesë e transparencës është CV e drejtuesve të lartë, përfshirë deputetët, si përfaqësues legjitim të qytetarëve votues dhe aktorët kryesorë të vendimmarrjes politike. Në botimet dhe publikimet parlamentare të mëparshme dhe të tanishme CV e deputetëve vijon të konsiderohet një “sekret shtetëror” dhe element marketingu politik.
Një pjesë e deputetëve nuk pranon të publikojë CV e tyre, një pjesë tjetër e ndryshon CV në varësi nga nevojat politike të ditës dhe fushata elektorale, një pjesë tjetër ka të dhëna të përgjithshme dhe të parëndësishme duke iu larguar të dhënave thelbësore. Në këto rrethana, burimi I vetëm i verifikimit mbetet bashkimi i burimit zyrtar me të dhënat e verifikuara në institucione të tjera ku deputetët aktualë kanë punuar ose në fletëpalosjet e tyre në fushatë elektorale.
Nga të dhënat e pasqyruara edhe në tabelën bashkëngjitur, shumica absolute e deputetëve (79) kanë mbaruar studimet e tyre bazë ose edhe të avancuara në universitetet shtetërore të Tiranës. Tek universitetet vendore në vendin e dytë janë deputetët e diplomuar në Universitetin e Shkodrës, ndjekur nga universiteti privat „Kristal“.















