Kur kanë mbetur edhe më pak se 1 vit nga përfundimi i mandatit 4-vjeçar, qeveria Rama-Meta ka bërë 5 ndryshime ministrash që prej shtatorit të vitit 2013 kur nisi bashkëpunimi mes dy “vëllezërve armiq”.
I pari nga ministrat e larguar ishte Ilirjan Celibashi, ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin. Largimi i tij, pa dhënë arsye pse, ndodhi në gusht të vitit 2014. Rama e zëvendësoi me Ermonela Felajn. Në nëntor 2015 dorëhiqet ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, i cili u zëvendësua me Ylli Manjanin.
Më pas në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2015 u largua ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, i cili kandidoi për Bashkinë Tiranë. Veliaj u zëvendësua me Blendi Klosin.
Në shkurt të vitit 2016 u shkarkua ministri i Financave, Shkëlqim Cani, për t’u zëvendësuar me ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj. I fundit në radhë ishte ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto, i cili dha dorëheqjen një ditë më parë për t’u zëvendësuar me Sokol Dervishin.
Megjithatë ndoshta largimet s’kanë mbaruar me kaq, ndonëse mandatit 4-vjeçar të Ramës po i vjen fundi. A do të ketë lëvizje të tjera ministrash për t’i dhënë qeverisë “impulse të reja” siç thotë Ilir Meta, kjo mbetet për t’u parë në ditët dhe muajt e ardhshëm.
/LAPSI.AL/















