Të gjithë burrat që pranuan borxhin e gjakut në mbledhjen e baballarëve në fshatin Kçirë në Pukë, do të dëshmojnë për llogari të hetimeve ndaj Mark Frrokut
Në relacionin dërguar Kuvendit, bazuar në dëshmitë e marra nga prokuroria belge, Prokuroria e Përgjithshme u shpreh se pas vrasjes së Aleksandër Kurtit, më 5 mars 1999, në një fshat të Pukës është zhvilluar ‘mbledhja e baballarëve’, që sipas traditës së gjakmarrjes, vrasësi duhet të sqarojë rrethanat dhe motivet e vrasjes.
Zyrtarisht mësohet se 24 burra do të thirren për të dëshmuar në lidhje me atë takim zakonor.
Në mbledhjen e baballarëve të zhvilluar në një fshat të Dukagjinit kanë qenë prezent: Babai i viktimës, vëllai i viktimës Gjergji Kurti, Preng Frroku, babai i Mark Frrokut, Bive Jafa, babai i Lek Bib Jafa si dhe Fran Ded Joka. Babai i të akuzuarit si autor i katërt, Nikoll Vuka rezulton se nuk është paraqitur në mbledhje pasi, djali i tij Aleks Vuka nuk e vlerëson veten përgjegjës për vdekjen e viktimës duke pretenduar se viktima kishte vdekur para se ai të ndërhynte.
Me gjithë mungesën e babait të Aleks Vukës, borxhi i gjakut ishte vënë dhe secila nga katër familjet duhet që të paguanin një jetë që mes tyre të vendosej sërisht “paqja”.
Sipas këtij zakoni, një dënim i rëndë në Belgjikë është i barabartë me një jetë. Mbledhja konfirmoi se arsyeja e vrasjes se Aleksander Kurtit ka qenë larja e hesapeve në lidhje me një rrjet prostitucioni. Me akuzën e vrasjes së një shtetasi shqiptar, Mark Frroku, tashmë i arrestuar, pritet të përballet edhe me 3 akuza të tjera, kanosje të dëshmitarëve, drejtim të rrjeteve të prostitucionit si dhe fshehje të deklarimit të pasurive.















