Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka hapur festën e 23-Vjetorit të krijimit të FRESSH-it, duke e quajtur atë një alternativë e së ardhmes. Ceremonia është mbajtur në Pallatin e Kongreseve, ku Forumi Rinor Eurosocilist i Shqipërisë (FRESSH) po feston sot 23-vjetorin e themelimit. “Koha tregoi se krijuesit e PS nuk ishin të çmendur por të guximshëm dhe vizionarë. Vetëm pak muaj dhe PS tregoi rigjenerim. PS tregoi një alternativë të së ardhmes me bindje dhe vendosmëri. Rinia dha një kontribut të rëndësishëm për mos instalimin e një diktature të re, në emër të antikomunizmit. 23 vite më parë kishte edhe të rinj edhe nga Kosova, që ishin pjesë e themeluesve të FRESSH. Si Haki Morina, i burgosur gjatë regjimit të Milosheviç të fliste për besim te PS.
Në atë kohë PS akuzohej nga PD si pasardhëse e PP, se kishte shitur Kosovën. Forumi i ri Eurosocialist ishte unike në lindjen komuniste. Në Shqipëri u krijua një rini që nuk kishte lidhje me organizatën e mëparshme, madje u krijua nga të rinj që ishin pjesë e studentëve që rrëzuan regjimin. Ne na pëlqente shpesh ta përcaktonin FRESSH si një oponencë e PS”, është shprehur Meta. Më tej ai i ka uruar suksese FRESSH-it dhe të pranishmëve, ku nuk kanë munguar edhe batutat me kryeministrin Rama. “Ju uroj për këtë manifestim të shkëlqyer që po organizoni sot dhe këtë mesazh që po i jepni rinisë. Vendimmarrja e tyre është e rëndësishme për të ardhmen, për të ndërtuar çdo ditë Evropën në vendin tonë”, ka thënë kreu i Kuvendit.















