A e ka ndryshuar përgjithnjë skenën politike Reforma në Drejtësi dhe procesi politik që i parapriu asaj?
Pas më shumë se 1 vit e gjysmë diskutime dhe debatesh, klasa politike shqiptare ka pranuar të miratojë me konsensus reformën në sistemin e drejtësisë.
Me 140 vota pro, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe në një seancë që pavarësisht debatit të fortë të ditëve të fundit u ruajt solemniteti, Kuvendi i Shqipërisë ka votuar sot pas mesnate ndryshimet në ligjin themeltar të shtetit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me anë të të cilave synohet të reformohet i gjithë sistemi i drejtësisë.
Atmosfera
Dështimi për të disatën herë i konsensusit mes palëve dhe kthimi i debatit në pikën zero, ka bërë që të zgjedhurit tanë në Kuvend të nguronin të besonin deri në fund në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare mes palëve, lidhur edhe me dy çështjet e fundit të mbetura, siç ishte ajo për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe anëtarët jo prokurorë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Për orë të tëra, deputetët, kryesisht ata të mazhorancës kanë pritur me ankth por edhe me lodhje pasqyrimin e marrëveshjes së arritur në draftin final të ndryshimeve kushtetuese nga Komisioni i Posaçëm i reformës në Drejtësi, i mbledhur në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Amkthi dhe mosbesimi u rrit edhe më shumë në ambientet e jashtme të sallës së seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë në momentin që të zgjedhurit demokratë kërkuan që të bëjnë verifikimin e propozimit të zbardhur dhe reflektuar në draft.
Situata mes deputetëve të majtë që qëndronin në ambientet jashtë sallës ishte e atillë që jo pa të drejtë një prej tyre e cilësoi të njëjtë me atë që mbizotëron në proceset mortore.
Situata do të zhdramatizohej vetëm kur në portën e hekurt që lidh ambientet e selisë së PD-së me ato të Kuvendit u duk kryetari i opozitës, Lulëzim Basha, i cili ishte ftuar nga kryetari i Kuvendit Ilir Meta, të ndiqte këtë seancë historike.
Prania e Bashës u përkthye menjëherë nga të majtët si një shenjë se të djathtët kishin rënë dakord edhe me variantin e zbardhur të marrëveshjes, çka i hapte kështu rrugë procesit të miratimit.
Votimi
Ndërsa ora kishte kaluar 23-tën, kryetari i Kuvendit rihapi edhe një herë seancën e cila ishte ndërprerë gjatë mesditës për t’i lënë vendin negociatave.
Thuajse gjithë trupi diplomatik, ambasadori amerikan, Donald Lu, ajo e BE-së, Romana Vlahutin, e të gjithë ambasadorët e vendeve më të rëndësishme të BE-së kishin zënë vend në lozhat e sipërme të sallës së seancave plenare.
Ndërsa në një nga lozhat e poshtme qëndronte i vetëm, kryetari i opozitës Lulëzim Basha.
Por pavarësisht marrëveshjes së arritur, dallimi mes palëve u reflektua edhe në këtë seancë, ku të majtët nisën të duartrokasin gjatë momentit që kryetari i Kuvendit i dha fjalën kryetarit të komisionit të posaçëm të reformës, Fatmir Xhafaj, ndërsa të djathtët jo.
E njëjta situatë u ripërsërit edhe në momentin kur Xhafaj falenderoi ambasadorët Lu dhe Vlahutin për kontributin e dhënë në realizimin e kësaj reforme, ku deputetët e djathtë shfaqën edhe një herë pakënaqësinë e tyre, duke pretenduar për një pozicionim të njëanshëm të tyre në gjithë këtë proces.
Kështu, ndërsa të majtët duartrokitën për një kohë të gjatë dy ambasadorët, të djathtët i janë bashkuar atyre vetëm për formalitet.
Por përveç marrëdhënieve të ndera mes opozitës dhe mazhorancës, procesi i votimit evidentoi edhe një aspekt tjetër, çarjen tashmë evidente mes dy partive kryesore të koalicionit të majtë dhe në mënyrë të veçantë mes kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit.
Kështu, kryetari i Kuvendit nuk qëndroi në sallë gjatë momentit që fjalën e mori kryeministri, Edi Rama, duke u kthyer vetëm në fund të saj.
Në një klimë të tillë ka nisur procesi i votimit, ku në sallë ishin të gjithë deputetët e pranishëm, përfshirë këtu edhe deputetin Armando Prenga, i cili kthehej në të pas një mungese të gjatë.
Pas votimit në parim dhe nen për nen, Kuvendi ka miratuar me 140 vota pro edhe në tërësi të 47 nenet dhe aneksin që i shoqëron ato.
Ky moment është shoqëruar me duartrokitje të të gjithë deputetëve dhe trupit diplomatik.
Por duket se emocionet më të forta në këtë moment i përjetoi ambasadori Lu, i cili nuk nguroi që t’i jepte dhe një puthje falenderimi për gjithë kontributin dhe durimin e treguar koleges së tij të BE-së, Romana Vlahutin.
Konsensusi i fundit, ja çfarë mbajti pezull reformën
Marrëveshja për zgjedhjen e 5 anëtarëve nga shoqëria civile të KLGJ dhe KLP dhe si zhbllokohet në rast se palët nuk bien dakord për emrat
Konsensusi i fundit për Reformën në Drejtësi u vendos dje pasdite, duke përmbyllur edhe dy çështjet e mbetura pezull, ajo për formulën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Varianti final, i cili u votua në mbrëmje, parashikon kalimin përmes Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit për 5 anëtarët, nga juristët dhe shoqëria civile e të dyja institucioneve dhe më pas kalimin e tyre në një proces të miratimit në një nënkomision të Kuvendit me pesë anëtarë.
Sipas marrëveshjes së arritur, sistem vetingu do të ketë për të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por jo të posaçëm, siç u tha në media gjatë ditës. Pjesa tjetër e marrëveshjes së arritur për formulën e përzgjedhjes së anëtarëve të këtyre institucioneve të tjera të drejtësisë është e ngjashme me atë që ngrihet për krijimin e komisioneve të vetingut.
Sipas Kushtetutës së miratuar dje, 5 nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë do të përzgjidhen nga një nënkomision prej 5 anëtarësh në Parlament, 3 nga mazhoranca dhe dy nga opozita. Kandidati duhet të marrë 4 vota. Në qoftë se krijohet ngërç, atëherë përzgjedhja bëhet me short. “Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision sipas pikës shtatë të këtij neni, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës, Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur”, thuhet në nenin që duket se është dakordësuar dje.
Aplikimet do të jenë të hapura dhe nuk ka kufizime. Pesë anëtarët e KLGJ-së dhe KLP-së përzgjidhen me konsensus, por është parashikuar që në rast se konsensusi do të mungojë, lista e tretë e sjellë nga nënkomisioni mund të quhet e miratuar. Kushtetuta e re për drejtësinë parashikon në çdo hallkë afate zyrtare dhe po ashtu, sistem zhbllokues, tek i cili është këmbëngulur. Kjo lë të kuptohet se palët duhet të bëjnë kompromise ose t’i nënshtrohen shortit, që mund të nxjerrë rezultate që ata nuk i kontrollojnë dot.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë i Gjyqësorit
Zgjedhja e anëtarëve jo prokurorë dhe jo gjykatës
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jo më vonë se 10 ditë nga paraqitja e kandidaturave verifikon nëse kandidatët plotësojnë kushtet e parashikuara nga kushtetuta dhe ligji, si dhe vlerëson kriteret profesionale e morale të anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (Këshillit të Lartë Gjyqësor) dhe përgatit listën, nëse nuk plotësohen kushtet, Sekretari i Përgjithshëm nuk i përfshin emrat e tyre në listë.
Komisioni i Ligjeve krijon një nënkomision për vlerësimin e mëtejshëm dhe përzgjedhjen e kandidatëve jo më vonë se tre ditë nga paraqitja e listës. Nënkomisioni përbëhet nga pesë deputetë, prej të cilëve tre caktohen nga shumica dhe 2 nga pakica.
Nënkomisioni me të paktën katër vota mund të përfshijë në listën e kandidatëve edhe ata që janë përjashtuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, për mospërputhje të kritereve formale. Komisioni i përzgjedh kandidatët me mbështetje të të paktën katër anëtarëve.
Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short.
Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomision sipas pikës shtatë të këtij neni, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur.






















