The Albanian
Tirana zyrtare njoftoi se do të fillojë regjistrimi i diasporës. Një lajm i mirë dhe vërtet për tu përshëndetur. Nëse përpiqemi t’i heqim zbukurimet këtij lajmi, si nismë historike, atdhetare, patriotike etj etj lehtësisht mund të ritheksohet si një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar dhe si mbetemi zakonisht, të fundit po kujtohen për këtë çështje.
Mjaftohet të shikohet se çdo vend i rajonit e ka nisur me kohë këtë, madje duke u ofruar të drejtën e votës shtetasve të tyre, madje Kosova ka një ministri për diasporën… ndërsa Tirana zyrtare nuk e ka parë të arsyeshme një gjë të tillë.
Besohet se në terma të gjerë, të gjithë e kuptojnë se diaspora është një çështje shumë më e madhe se regjistrimi, por që fatkeqësisht asnjëherë nuk u mor seriozisht nga zyrtarët e shtetit shqiptar, pasi politika ditore nuk i la të mendojë më tepër se “një listë të kontrolluar votuesish” dhe aspak janë gjenduar aspak komodë, pasi diaspora as nuk mund të blihet dhe as të shitet.
Në deklamimin e këtij lajmi prej dy ministrash, një gjë e thjesht por realisht e frikshme, u vu në pah nga vet Ministri i Jashtëm. Z.Bushati i cili e konfirmoi si pa të keq (pa ju dridhur qerpiku) …se në shërbimet konsullore ka korrupsion. E nëse për qytetarët shqiptarë të brendarepublikës, ky konstatim i ministrit nuk përbën lajm (pasi lajme të tilla ka gjithandej dhe janë thuajse të përditshëm, me zë e me figurë) për një shqiptar të diasporës, që jeton në vendet më demokratike të botës, është një bu-bu e tmerrshme dhe natyrisht e papranueshme me gjithë ngjyrimin alla-shqiptar që mund t’i jepet.
Deklamimi i këtij lajmi “historik”, zbeh shpresat e optimizmit më të madh (se diaspora do të merret seriozisht) jo thjesht përsa i përket shijes së hidhur të konstatimit të kreut të diplomacisë se vartësit e tij bëjnë korrupsion, por po të kihet parasysh se prej më shumë se dy vitesh thuajse asnjëherë nuk është përmendur fjala emigrant apo diasporë. Asnjë projekt i vetëm (serioz) nuk u ndërmor nga kjo qeveri, ndonëse premtoi shumë për emigrantët madje për zgjedhjet e ardhshme kryeministri Rama ka deklaruar me zë dhe figurë se do të sigurojë të drejtës e votës së emigrantëve.
Vetëm nëse shikojmë “udhëtimet” e kryeministrit nëpër vende të ndryshme, për gjithçka mund të jetë interesuar, por për bashkëkombësit e tij asnjëherë.
Sa herë ka qenë kryeministri Rama në Londër?
Më shumë se dhjetë herë?
As edhe një herë të vetme nuk organizoi ndonjë takim qoftë edhe nga ata formalët me shqiptarët e këtushëm, po në vendet e tjera?
A janë të pa-menaxhueshëm shqiptarët e diasporës? Për klasën politike po, patjetër dhe kjo u vërtetua prej kaq kohësh… Çdonjëri politikan e kupton se shumë më shumë shqiptarë ka jashtë Shqipërisë dhe kanë potenciale të jashtëzakonshme intelektuale apo financiare dhe nëse shikohen si kërcënim për establishmentin natyrisht ky është problem i tyre. Gjithkush është i gatshëm të vejë bast, se të paktën në zgjedhjet e ardhshme emigrantët nuk do të kenë të drejtë vote, por të paktën shpresohet se do të jetë një hap (ndonëse tmerrësisht i vonuar ) që do të “normalizojë” marrëdhëniet shtet-diasporë.
E për të vërtetuar se qeveria e ka seriozisht “normalizimin” e marrëdhënieve më diasporën, nëse nuk krijohet një ministri, të paktën ato shërbime që jepen, të bëhen me standarte perëndimore.
Nëse vërtet e kanë seriozisht, përpara se të deklarojë publikisht se ka korrupsion në konsullata, le t’i çojë para drejtësisë zyrtarët e tij të korruptuar ministri i Jashtëm.
Të paktën atëherë mund të besohet se e kanë seriozisht dhe se nuk do të mbeten në kufijtë e një lajmi që do të prodhojë në të ardhmen argumente të pafundmë, për ngecjen apo kohën e pafundme, që u dashka për realizimin e këtij premtimi…















