“Laguna e Vilunit”
Zbardhet procesverbali i policisë: Deputeti nuk pranoi që t’i kontrollohej automjeti
Zbulohet procesverbali i disa efektivëve të policisë, të cilët gjatë një aksioni për të ndaluar një të kërkuar për trafik droge, janë penguar nga një deputet i Parlamentit. Dokumentet tregojnë se deputeti është Mark Frroku, i cili, pasi iu është prezantuar, nuk ka lejuar efektivët për të kryer ndalimin e shtetasit Bardhok Pllanaj. Prokuroria kishte prerë urdhërarrestin për Pllanajn, por më pas është “dorëzuar” pas rezistencës së deputetit. Gazeta “Shqip”, në një artikull të datës 16 tetor të vitit të kaluar, e bëri publike këtë ndodhi, por që u la në harresë nga policia dhe prokuroria. Gjashtë muaj më pas, “ABC News” ka publikuar këto dokumente, që vërtetojnë ngjarjen në fjalë, ndërsa publikimi i tyre vjen në një kohë që prokuroria po verifikon çështjen “Doshi”.
“Laguna e Vilunit”
Operacioni në atë kohë u zhvillua në tri shtete: Shqipëri, Mali i Zi dhe Itali. Grupi kriminal, i formuar nga disa persona me origjinë nga Vlora, Shkodra, Lezha apo Fushë-Kruja, çdo javë apo muaj, dërgonte tonelata me hashash në Itali. Në fund të muajit shtator, policia shqiptare ka pikasur një skaf, ndërsa ka ndërhyrë për goditjen e këtij grupi. Janë sekuestruar me 200 kilogramë kanabis, por mjeti lundrues nuk ka rënë në “rrjetën e policisë”. Skafi, sipas policisë, u nis në drejtim të Malit të Zi, ku dhe kishte vendqëndrimin. Nga ana tjetër, policia në atë kohë arrestoi disa të dyshuar, por më vonë u lanë të lirë, për shkak se prokuroria ende nuk kishte prova për “gozhdimin” e këtij grupi. Dhe, disa ditë më vonë, skafi në fjalë tenton sërish që të trafikojë lëndë narkotike në drejtim të Italisë. Ai shfaqet sërish te laguna e Vilunit dhe tenton që të mbushet me hashash. Sërish mjeti lundrues i shpëton policisë dhe drejtohet në Malin e Zi. Deri më tani, drejtësia shqiptare nuk ka ndonjë informacion të plotë për skafin, ndërsa sekuestroi mbi 500 kilogramë hashash, që ishte në zonë. Në pranga ranë edhe shtatë persona, ndërsa u sekuestruan shumë telefona celularë dhe sende të tjera, në cilësinë e provës materiale.
Kapja e Pllanajt
Në fokus të hetuesve ishte edhe veprimtaria e Bardhok Pllanajt, me origjinë nga Shkodra dhe i njohur si një biznesmen. Në datat 30 shtator dhe 1 tetor të vitit të kaluar, disa efektivë të Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë përpiluar një raport shërbimi mbi kryerjen e veprimeve të vëzhgimit të fshehtë të personave dhe mjediseve, në funksion të procedimit penal nr. 245 të vitit 2014 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. “Në ora 22:30 të 30 shtatorit, njësia operacionale u vendos në zonën e Kombinatit, te bar restorant AML dhe në rrugën dytësore Vorë te pika tjetër e AML-së, ku nuk u konstatuan subjektet e këtij procedimi penal. Në orën 22:40, pas detyrës së dhënë nga specialisti i sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pema, i cili ndjek procedimin penal, njësia operacionale u zhvendos në zonën në afërsi të stadiumit kombëtar ‘Qemal Stafa’ te kompleksi ‘Sheraton’, ku nuk u konstatuan subjektet e këtij procedimi penal. Në orën 23:00, njësia operacionale u dislokua me shërbim në bulevardin ‘Gjergj Fishta’ në afërsi të bar restorant ‘Antik’ pas detyrave të dhëna, pasi dyshohej se personi subjekt i procedimit penal mund të vinte te bar ‘Antika’ me një automjet ‘Audi’.
Përpara lokalit konstatohen nga ana jonë të parkuara disa automjete. Te dera e restorantit qëndronte një person rreth moshës 32 vjeç, me flokë të shkurtra, veshur me xhup ngjyrë kafe të errët, pantallona xhinse. Në orën 23:15 konstatohet nga ana jonë duke u parkuar automjeti i markës ‘Audi’ A8, ngjyrë e zezë, me xhama të zinj. Nga ky automjet zbresin tre persona. Personi i parë, drejtuesi rreth moshës 30 vjeç, me flokë të shkurtra. Personi i dytë, pasagjeri që ishte ulur në vendin e parë, një person rreth moshës 35-40 vjeç me flokë të shkurtra të zeza, pak të rëna mbrapa, i shkurtër rreth 165 centimetra, veshur me bluzë me mëngë të shkurtra, ngjyrë blu me viza të bardha të holla, pantallona bezhë dhe mbante në dorë një çantë të vogël. Disa persona hipën në këtë makinë dhe lëvizën në drejtim të sheshit ‘Skënderbej’, Rruga e Durrësit, sheshi ‘Rilindja’, sheshi ‘Shqiponja’. Sa hyjnë në autostradën Tiranë-Durrës, automjeti ‘Rang Rover’, ngjyrë gri me targa AA841 FH ndalon për karburant, ndërsa automjeti me targa AA827GY, vazhdon në drejtim të Kamzës. Më pas ndoqëm automjetin ‘Audi’ me targë AA827GY dhe për arsye se personat në këtë automjet nuk mund të identifikoheshin, nga ana jonë morëm si detyrë që automjeti duhej të ndalohej në zonën e Kamzës dhe për këtë qëllim do të njoftohej dhe Komisariati i Policisë së Kamzës për marrjen e masave dhe ngritjen e një pike kontrolli”, thuhet në dokumente.
Përballja me Frrokun
Në procesverbalet e policisë thuhet se në orën 01:28 të 1 tetorit të vitit të kaluar, automjetit “Audi” iu bë shenjë ndalimi në zonën e Bulevardit Blu në Kamzë, nga një patrullë e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Kamzë afër rrethrrotullimit dhe në moment, nga ana jonë, u bë e mundur ndalimi. “Pas kryerjes së veprimeve operacionale policore me qëllim bllokimin e rrugës dhe automjetit, nga ana jonë u bë thirrje personave të pranishëm në automjet, të paidentifikuar, që të dalin nga automjeti. Punonjësi i policisë dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë së Kamzës ishin me shenja dalluese policore. Rreth dy minuta automjeti ka qëndruar i palëvizur dhe dyert janë konstatuar nga ana jonë të mbyllura, më pas nga pjesa e pasme e automjetit është ulur xhami i krahut të pasagjerit dhe një person rreth moshës 40 vjeç, i veshur me kostum ngjyrë blu e errët, është prezantuar si deputet i Parlamentit të Shqipërisë, me emrin Mark Frroku. Pas kontaktit vizual i njohur dhe nga ana jonë, ai gjithashtu ka sqaruar shprehimisht ndër të tjera se ‘Automjeti mund të kontrollohet vetëm me vendim të Parlamentit, pasi unë jam deputet. Automjeti është në pronësinë time’. Deputetit i është bërë e qartë nga ana e shefit të njësisë operacionale arsyeja e ndalimit dhe se personat e pranishëm në automjet duhet të vetidentifikoheshin dhe për sqarime të mëtejshme do të dërgoheshin në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë. Gjatë kësaj kohe është shtuar prezenca me shërbime me uniformë e Komisariatit të Policisë Kamzë dhe në vend ka ardhur dhe një automjet policie. Nga ana e shefit të njësisë është komunikuar me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pema, ku i është bërë e ditur e gjithë situata e krijuar dhe fakti se deputeti Mark Frroku sqaron se automjeti i ndaluar është në pronësi të tij. Pas komunikimit të shefit të njësisë operacionale me specialistin e sektorit për narkotikët e trafiqet, kryekomisar Florjan Pema, i cili ndjek procedimin penal, i është sqaruar nga ana e këtij të fundit që automjeti i deputetit Mark Frroku me targë AA827 GY të lihej i lirë dhe të vazhdonte lëvizjen. Menjëherë nga ana jonë është bërë zhbllokimi i rrugës dhe lënia e lirë e automjetit dhe personave. Gjatë komunikimeve me deputetin Mark Frroku, komunikimi ka qenë normal dhe pa asnjë lloj debati apo konflikti. Në orë 01:50, shërbimi u ndërpre.
Raporti i shërbimit, pasi u lexua dhe u gjend i rregullt, u firmos pa vërejtje nga të pranishmit (katër efektivë të forcës së posaçme)”, thuhet në këtë dokument. shqip

















