Personat që do të japin informacion për biznese që nuk përdorin kasën fiskale do të shpërblehen. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të veçantë ku përcakton një fond prej 100 milionë lekë të vjetra për Ministrinë e Financave. Ky fond do të përdoret për shpërblimin e informatorëve të jashtëm që do të denoncojnë bizneset nuk japin kuponin tatimor. Masa e shpërblimit për çdo informator do të përcaktohet me udhëzim të Ministrisë së Financave.
Vendimi i qeverisë për shtesën e fondit prej 10 milionë lekë të reja, kalon këtë shumë për Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve për përballimin e shpenzimeve që kryhen në kuadër të nismës kundër informalitetit. Sipas këtij vendimi, Drejtoria eTatimeve do të shpërblejë informatorët e jashtëm për shkeljet e dyshuara dhe të vërtetuara nga administrata tatimore në fushën e përdorimit të pajisjeve fiskale nga subjektet tatimpaguese.
Gjithashtu kjo shumë do të përdoret dhe për të mbuluar blerjen e mallrave dhe shërbimeve, nga “spiunët e brendshëm” të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për verifikimin në vend të subjekteve tatimpaguese, për përdorimin e pajisjeve fiskale.
Vendimi
Qeveria jo vetëm do të përdorë informatorë për të mbikëqyrur tatimorët dhe për të verifikuar lëshimin e kuponëve nga bizneset, por ka parashikuar edhe t’i shpërblejë e t’u mbulojë shpenzimet. Përmes një vendimi të miratuar në mbledhjen e djeshme, Këshilli i Ministrave ka vënë në dispozicion të administratës tatimore 10 milionë lekë për shpërblimin e informatorëve si dhe për blerjen e mallrave për të verifikuar nëse subjektet lëshojnë apo jo kupona.
“Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t’i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente, në programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore Rregullat e masa e shpërblimit të informatorëve dhe procedura e masa e shpenzimit për blerje të mallrave dhe shërbimeve në subjektet tatimpaguese, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave”, përcakton Këshilli i Ministrave.
Shpenzimet
Kryeministria përcakton në vendim se ky fond të përdoret nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për përballimin e shpenzimeve që kryhen në kuadër të nismës kundër informalitetit dhe që lidhen me: shpërblimin e informatorëve të jashtëm, për shkeljet e dyshuara dhe të vërtetuara nga administrata tatimore në fushën e përdorimit të pajisjeve fiskale nga subjektet tatimpaguese; blerjen e mallrave dhe shërbimeve, nga punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për verifikimin në vend të subjekteve tatimpaguese, për përdorimin e pajisjeve fiskale. “Fondi, në shumën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, i shtuar sipas pikës 1, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave” thekson vendimi i cili ngarkon Ministrinë e Financave dhe Drejtorinë e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e tij.
Spiunët
Angazhimi i informatorëve në fushatën kundër evazionit fiskal u pranua në shtator nga Ministri i Financave Shkëlqim Cani. Cani paralajmëroi përfshirjen e këtyre persona të cilët duhet të verifikojnë në mënyrë sekrete pa u njohur nga biznesi se nëse lëshohet ajo kuponi, nëse zbatohet çmimi i duhur, nëse biznesi i madh zbaton ato çmime të cilat raportojnë apo janë çmimet më të larta. Nga ana tjetër, tatimorët paraqiten nëpër biznese si klientë, duke blerë mallra e shërbime për të verifikuar nësë njësitë lëshojnë apo jo kupon tatimor dhe nëse ai pasqyron vlerën reale të shërbimit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË FONDI NË BUXHETIN E VITIT 2015, MIRATUAR PËR MINISTRINË E FINANCAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të nenit 13, të ligjit nr.160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, të ndryshuar, dhe ligjit nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Ministrisë së Financave, në buxhetin e miratuar për vitin 2015, t’i shtohet fondi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh, për shpenzime korrente, në programin “Menaxhimi i të ardhurave tatimore”.
2. Ky fond të përdoret nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për përballimin e shpenzimeve që kryhen në kuadër të nismës kundër informalitetit dhe që lidhen me:
a) shpërblimin e informatorëve të jashtëm, për shkeljet e dyshuara dhe të vërtetuara nga administrata tatimore në fushën e përdorimit të pajisjeve fiskale nga subjektet tatimpaguese;
b) blerjen e mallrave dhe shërbimeve, nga punonjës të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për verifikimin në vend të subjekteve tatimpaguese, për përdorimin e pajisjeve fiskale.
3. Rregullat e masa e shpërblimit të informatorëve dhe procedura e masa e shpenzimit për blerje të mallrave dhe shërbimeve në subjektet tatimpaguese, sipas shkronjave “a” e “b”, të pikës 2, të këtij vendimi, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
4. Fondi, në shumën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, i shtuar sipas pikës 1, të përballohet nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave.
5. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
Në mungesë dhe me porosi
ZËVENDËSKRYEMINISTRI
NIKO PELESHI f