Edhe Dom Marjan Paloka, anëtar i Famullisë Fiesole të Firences, i vlerësoi 38 martirët shqiptarë të diktaturës komuniste.
“Universalizmi katolik nuk ishte në dëm të kombëtarisë së tyre. Prandaj nëse këta martirë kanë ditur të bashkojnë së bashku universalen, lokalen dhe konkreten, atëherë dhe Shqipëria që sot detyrimisht shikon drejt universales pas një periudhe të gjatë të mbyllur duhet të mësojë nga sakrifica e këtyre martirëve për të ditur të kujdeset njëkohësisht për të dyja gjërat: marrëdhënien me botën, universalen dhe për rritjen dhe zhvillimin e vendit, konkreten dhe lokalen”, tha ai.
Në këtë event mori pjesë dhe ministri i Jashtëm i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit Arqipeshkopi Paul Richard Gallagher, i cili tha se nga Shqipëria sot shohim sinjale shprese, besimi e bamirësie.
25 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë e Selisë së Shenjtë përkon me një vit të veçantë për Shqipërinë, gjatë të cilit bamirësja shqiptare Nënë Tereza u shpall Shenjt.






















