Piro Ahmetaj
Mbas opinionit të fundit në media mbi gjashtë arsyet madhore të dështimit të frikshëm të Surrel-Qeverisë në ikje (bashkëlidhur), kisha vetë-vendosur të mos përfshihesha më në këtë diskutim.
Mjaft është mjaftë, por të sëmurët nga mbi-pushteti nuk kanë as kufij, as turp as marre! Prandaj, mbas miratimit me votë unanime (284 nga 300 deputetë) të Parlamentit të Greqisë si dhe kërkesës me mirësjellje të disa mediave, po paraqes shqetësimet strategjike, si vijon:
1. Siç edhe u shprehë kryeministri Kyriakos Mitsotakis, “Parlamenti Grek bëri histori”, duke legjitimuar zgjerimin nga 6 në 12 milje, ose më thjesht me zgjerimin e sovranitetin detar me 13 mije kilometra katrorë, të cilën e përkufizoi si realizim të një ambicie shekullore (legjitime!) si dhe përmbushjen e një objektivi të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare në 40 vitet e fundit.
Kryeministri Mitsotakis, edhe pse i diplomuar në Harvard dhe pinjoll i një familje në themelet e historisë së Greqisë moderne, nuk “shitet si i gjithëditur as udhëheqës global”, por ka punuar shumë fortë, me përgjegjshmëri dhe përulje në dobi të interesave të kombit dhe popullit të tij. Dhe, sigurisht, ka të drejtë legjitime të krenohet pasi falë vizionit, masave të orkestruara diplomatike, shtetërore, mediatike dhe institucionale ka përmbushur një objektiv me peshë gjeopolitike për kombin e Tij.
Më tej, me meritë e vlerësoi dhe falënderoi kryeministrin e Shqipërisë (shkollë vetëm si piktor dhe pinjoll i bllokut komunist), i cili me papërgjshmëri cinike ndaj interesave të vendit tij e ndihmoi të realizojë këtë përpjekje 100 vjeçare, pra zgjerimin e sovranitetit të Greqisë fqinje, me 12 milje ose 13 mijë kilometra katrorë (sa gati gjysma e tërësisë territoriale të Shqipërisë).
2. Në të kundërt, mbas kësaj vendimmarrje (legjitimimin e sovranitetit nga 6 në 12 milje), Qeveria shqiptare, që s’ka as Ministra, as zëvendësministra, as ambasadorë, as negociatorë, pra ai dhe vetëm ai, udhëheqësi i plotfuqishëm, ka dështuar frikshëm në tetë vjet dhe si pasojë e tij, interesat detare dhe gjeopolitike të RSH janë kërcënuar seriozisht. Edhe më thjesht, mbas këtij vendimi, Shqipëria kërcënon të humbasë hapësira detare me interesa kritike ekonomike në detin Jon.
E përsëris dhe do lutesha të isha gabim, por pas legjitimimit të sovranitetit të vendit fqinj nga 6 në 12 milje (faktit të kryer, siç paskëshin kishin rënë dakord paraprakisht me Ramën!), Shqipëria rrezikon të shkojë me humbje në xhep në Gjykatën Ndërkombëtare.
Dhe, një pyetje tjetër shtesë, për kryeministrin në ikje: Nëse deri në vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare (procesi mundet të zgjas me vite), a zotëron Shqipëria kapacitete operacionale (mjete/anije ushtarake, infrastruktura detare etj.) të afta për të ndaluar (nëse ka) shkeljet e sovranitetit, apo edhe për të mos lejuar shfrytëzimin e paligjshëm të pasurive kombëtare në hapësirat e saj detare?
Kryeministri dhe institucionet kushtetuese, po ashtu kanë detyrim të qartësojnë qytetarët për heqjen (pa ligj) nga inventari i burimeve të mbrojtjes të RSH edhe të bazës ushtarake detare të Sarandës, ndërkohë që shteti fqinj, Greqia, për të mbrojtur dhe ushtruar sovranitetin detar në 12 milje planizon rritje të prezencës ushtarake edhe në Othonoi?!
3. Mungesa e transparencës (sikur negociohej për bunkerin e Surrelit) mos reagimi në kohë dhe proporcional i institucioneve të larta shtetërore (u thënçin), dhe propaganda cinike që u shitej qytetarëve, se s’ka asgjë për tu shqetësuar, pasi si çdo vend edhe Greqia ka të drejte sovrane, në mos universale, pse jo “hyjnore” për zgjerimin e sovranitetit detar nga 6 në 12 milje etj, si dhe arsyet pse për këtë vendimmarrje “historike”, Greqisë iu deshën 39 vjet mbas marrëveshjes së Montengo Bay, në mos mbi 100 vjet, mbeten ende pikëpyetje legjitime por të “bezdisshme” për udhëheqesit e sekserët e pushteteve!
E thëne më troç po të dëshironi: Kur zgjoheni në mëngjes dhe gjeni se fqinji ju ka shtyrë gardhin e avllisë që bashkëndani, nuk besoj se mundet të behet kështu pa pyetur pasi cenon jo vetëm metrat e oborrit por edhe integritetin e fisit/familjes tuaj?! Ja, kështu njësoj, shqetësimi për ne, qytetarët e zakonshëm (që s’kemi në kurriz hallet e Globit), mbetet fakti që vendi fqinj, Greqia, zgjerohet me ligj nga 6 në 12 milje dhe 13 mijë mije kilometra kartrorë, pjesë e qenësishme e së cilës është edhe zgjerimi në grupin e ishujve të Jonit Verior, por për çudi nuk na prekka aspak interesat detare të Shqipërisë. Ja, këto duhet të na i qartësojë udhëheqësi i (pa)ndritur, institucionet shtetërore si dhe opinionistët e gjithëditur, kudogjendur dhe shumë keqpërdorur!




















