Seb Bytyçi është nga ata emigrantë të sukseshëm i formuar në shkollat më të mirë të perëndimit me një rrugëtim tejet frymëzues.Edhe pse u rrit në një klimë lufte dhe pasigurie në Kosovën e pushtuar nga Serbia, Sebi arriti të triumfojë dhe sot të jetë një ambasador i shkëlqyer i vlerave më të mira shqiptare.
Profesioni është ai që na bashkëshoqëron gjithë jetën. Ju këtë zgjedhje e keni bërë te mirëllogaritur apo ju ka ardhur spontanisht, si një vokacion i brendshëm?
Mendoj se zgjedhja është ndikuar nga dy gjëra: kurioziteti i natyrshëm për të kuptuar gjëra si dhe përvojat jetësore që do t’i tregoj më poshtë.

Cilat kanë qenë momentet që kanë shënjuar udhëtimin tuaj profesional/ personal?
Shumë data të rëndësishme të jetës sime lidhen me zhvillime politike. Unë kam lindur në vitin 1980, i cili është viti i fillimit të fundit të Jugosllavisë, sepse atëhere kishte vdekur Tito. Në vitet e 1980 kishte filluar te përkeqësohet gjendja në Kosovë dhe unë kam qenë në shkollë fillore kur është instaluar sistemi i apartejdit. E mbaj mend kordonin e policisë para shkollës që nuk na lejonte të shkonim në shkollë. Për një kohë edhe patëm mësuar në shtëpi private, pastaj mësuam në shkollë vetëm për shqiptarë dhe serbët i kishin shkollat e tyre. Në pjesën e dytë të viteve ‘90 isha në shkollë të mesme, ku dy vitet e para bëheshin në objekte të shkollës fillore dhe dy vitet e fundit në shtëpi private. Në atë kohë nuk mund të merrnim libra me vete në shkollë sepse shkolla ishte ilegale dhe policia serbe i ndalonte të rinjët me çanta. Atëherë isha angazhuar në lëvizjën rinore përmes organizatave të nxënësëve. Dhe më vonë morra iniciativë me disa shokë për të promovuar përpjekjet për çlirim me metoda kreative dhe joviolente nëpër qytet. Për shkak të luftës shkolla u ndërpre në vitin 1999, dhe pas luftës e kam përfunduar shkollën e mesme në gjimnazin Kuvendi i Arbërit në Ferizaj.
Për një kohë nuk i vazhdova studimet sepse isha duke punuar me KFOR dhe UNMIK si përkthyes dhe administrator. Studimet në Shkenca politike i kam filluar në vitin 2001 si pjesë e gjeneratës së parë në Universitetin e Prishtinës, ku kam përkthyer materialet dhe ligjëratat për profesorët e huaj gjë që më ka ndihmuar t’i financoj studimet e mia. Gjithashtu, kam punuar edhe me organizata të shoqërisë civile dhe ato ndërkombëtare si UNDP në projekte kundër korrupcionit. Aty kam diplomuar në vitin 2004.
Pastaj kam qenë pjesë e gjeneratës së parë të bursistëve të KAEF-it (Fondi Amerikano-Kosovar i Edukimit), ku isha i pari i diplomuar në vitin 2007 me master në Analizë politikash Publike dhe Çështje Ndërkombëtare në Universitetin e Indianës (Indiana University).
Nga ai vit jam angazhuar në botën akademike si asistent në Universitetin e Prishtinës (Shkenca Politike) dhe në të njëjtën kohë kam punuar në një projekt kundër korrupcionit me UNDP, dhe si këshilltar i kreut të misionit të OSBE-së. Ndërkohë kam mbaruar edhe një master, mbi Integrime europiane dhe regjionalizëm në Universitetin e Gracit.
Në vitin 2009 kam themeluar Institutin Ballkanik të Politikave (IPOL) ku kam punuar në projekte të ndryshme për demokratizim, kundër korrupcionit dhe projekte studimore. Aty kam bërë përpjekje që bashkë me organizata tjera të krijojmë një bashkëpunim të ngushtë në shoqëri civile për të ndikuar në fatin e vendit përmes përfshirjes në politikëbërje por edhe përmes kërkimit të llogaridhënies nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare si EULEX-i.
Më vonë në vitin 2011, kam filluar doktoraturën dhe pas një periudhe studimi intenziv kam përfunduar doktoraturën me temë shtetndërtimin dhe institucionet në shtetet në transformim, në Universitetin e Jorkut (University of York) në vitin 2015, që është edhe viti kur jam bërë prind.
Gjatë gjithë kësaj kohe kam botuar shkrime të ndryshme si opinione e komente në media të ndryshme si psh Koha Ditore etj, ku kam shkruar për çështje të politikave publike, demokratizim dhe zhvillim. Tash kam një kolumne të rregullt dyjavore në sbunker.net.
Vazhdoj të jem pjesë e akademisë dhe menaxhoj programin master në ndërtimin e paqes në Universitetin e Uinçesterit (University of Winchester) në Angli. Gjithashtu jam bartës i programit baçelor në Politikë dhe ekonomi të Universitetit të Londrës/LSE që implementohet në Kolegjin Riinvest.
Poashtu jam duke punuar për ta ndërtuar një platformë bamirësie të mençur që ka për qëllim ta përdorë bamirësinë për zhvillim (www.brightgiving.org). Kjo u mundëson njerëzëve që t’u ndihmojnë familjeve në nevojë përmes produkteve vendore.

Shpesh thuhet që nuk ka një çelës të unifikuar suksesi për të hapur çdo derë, po ju a e keni pasur një të tillë për të hapur rrugën tuaj drejt suksesit?
Përveç këmbënguljes dhe përkushtimit, mendoj se është me rëndësi që të jemi në gjendje të dallojmë se ku duhet të ngulim këmbë e ku jo.
Nuk rritemi kur i kemi gjërat e lehta, por kur përballemi me sfida. Cilat sfida do i përcaktoje si më të vështirat në jetën tuaj?
Sigurisht se për çdo kosovar periudha e luftës ka qenë sfidë e madhë. Personalisht, ndoshta përfundimi i doktoraturës ka qenë sfidë e vështirë për shkak të detyrimeve të ndryshme.
Na ndodh shpesh të kthejmë vështrimin pas dhe të pyesim veten, si do ishte jeta jonë nëse do të bënim zgjedhje të tjera/të ndryshme. Si ju rezulton bilanci me vendimet tuaja?
Është shumë e vështirë të bëhet një bilanc i tillë sepse kurr nuk dihet se si do të kishin rezultuar vendime tjera hipotetike. Jeta gjithmonë sjellë befasira, pavarsisht në cilën rrugë je.
Nëse arritja më e madhe e njeriut është që vazhdimisht të tejkalojë veten, cilat arritje tuaja përtej vetes do të cilësonit si më triumfueset?
Nuk mendoj se kam bërë ndonjë arritje të veçantë. Unë nuk i mbaj diplomat e mia të varura në mur. Jam i lumtur nëse kam arritur të ndikoj pozitivisht tek studentët e mi, ata që lexojnë shkrimet e mia dhe në shoqëri në përgjithësi përmes aktivizmit tim. Arritje e shoh një ndërgjegje të pastër, dhe për këtë mundohem vazhdimisht (këtu puna nuk kryhet kurrë).
Çfarë evokimesh të djeshme e përjetimesh të sotme, të krijon tingëllimi i fjalës “Atdhe” ?
Për shkak të natyrës impozante të atdheut tonë, gjëja e parë që bie ndërmend janë malet që mbizotërojnë mbi vendin ku jam rritur, e që në të njëjtën kohë shërbejnë edhe për orientim në hapësirë. Kështu që, besoj rrjedhimisht edhe fjala atdhe shërben për orientim në hapësirë në një botë të globalizuar.

Çfarë cilësie mendoni se ka qenë më e mira,trashëgimi e atdheut tuaj, e cila ju ka ndihmuar të integroheni e të jeni i suksesshëm?
Jam i lumtur që jam rritur me urtësinë popullore, gojëdhënat e traditat tona autoktone që më kanë ndihmuar të ballafaqohem me jetën, së bashku me gjuhën tonë të veçantë, që kanë ngjallur kurreshtje për t’i ruajtur e lëvruar ato edhe me tej, dhe na ndihmojnë ta ruajmë identitetin dhe të orientohemi në një botë në lëvizje.
Çfarë do të thotë “emigrant”, bazuar në ekperiencën tuaj personale dhe a keni vuajtur ndonjë pasojë të këtij “statusi” në fillimet apo aktualitetin tuaj?
Përvoja ime ndoshta nuk është tipike sepse për një kohë të gjatë statusi emigrant ka qenë i ndërlidhur me statusin student si në Amerikë si në Angli. Natyrisht se të jesh larg vendlindjes ka vështirësi, e sidomos në një ambient të pasigurtë politik siç janë vitet e fundit.
Si mendoni që mund të përmirësohet bashkëpunimi ndërshqiptar?
Ka shumë gjëra që mund të bëhen, vetëm duhet iniciativë dhe kreativitet. Sigurisht së përgjegjësinë kryesore e kanë institucionet shtetërore. Por, rol të madh mund të luajnë edhe organizatat joqeveritare si dhe mediat dhe individët. Mund të fillohet me ndonjë aktivitet apo fushatë të veçantë, e të vazhdohet me institucionalizim të përpjekjeve. Mendoj se është me rëndësi të mos kemi paragjykime dhe cinizëm që na parandalojnë të provojmë iniciativa dhe duhet të mos dorëzohemi lehtë. Duhet të jemi mendjehapur të mësojmë nga përvojat e komuniteteve tjera si dhe t’i shfrytëzojmë mundësitë që ofron teknologjia e re.
Çfarë duhej të ishte ndryshe në mëmëdhe?
Shumë gjëra duhet të jenë ndryshe në trojet tona. Kryesorja është të ndryshohet mentaliteti se shpëtimi do të vie nga jashtë se demokracia vie nga jashtë, se zhvillimi vie nga investimet e huaja, se institucionet forcohen me konsulenca të huaja. Tri dekadat e fundit duhet të shërbejnë si mësim se zhvillimi politik, institucional e ekonomik vie nga brenda me dialog të brendshëm, reforma të brendshme dhe forcim të prodhimit të brendshëm. Shqiptarët duhet të veprojnë sikur të mos ekzistonte BE-ja dhe fuqitë tjera. Mos të mashtrohemi me idenë se anëtarësimi në BE do të na i zgjidhë problemet. Si do t’i zgjidhim problemet nëse nuk anëtarësohemi kurrë aty? Po të mos ekzistonin NATO dhe “investitorët e huaj” mitik si do të vepronim?

A mendoni se është e duhura qasja që qeveria/qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë ndaj diasporës dhe çfarë do të kërkonit konkretisht nga qeveria/qeveritë shqiptare?
Qasja është shumë vonë-shumë pak, dhe duhet të jemi kritikë në mënyrë që ndërmarrjet qeveritare të mos bëhen vetëm sa për sy e faqe. E vetmja mënyrë për ta garantuar këtë është të ketë ulëse të ndara në kuvend për diasporën, siç kanë shumë shtete. Dërgesat e diasporës janë pjesë kyçe e ekonomisë kështu që është thjeshtë e drejtë që të ketë përfaqësim në kuvend diaspora. Përveç kësaj mund të bëhet shumë për kthimin e trurit ose të paktën “shfrytëzimin” e trurit që është në diasporë.
Ndërkohë që jeni të zënë duke bërë plane, ndryshimi mbetet konstantja e pandalshme e kohës. Cilat janë tuajat për të ardhmen?
Planet janë të vazhdoj me mësimdhënie dhe me publikime akademike e publicistike si dhe me përpjekjet për të ndihmuar direkt në zhvillim në trojet tona përmes bamirësisë së mençur.
“The Albanian” tanimë ka mbi 1 milion ndjekes online. Cili do te ishte mesazhi juaj si motivim (mosdorëzim) ?
Së pari ju përgëzoj për suksesin juve dhe ju nxis për punë të mëtutjeshme. Nuk dua të tingëlloj predikues dhe thjeshtë po përsëris një koncept që më ka pëlqyer mua e që është se nuk ia vlenë të ankohesh kot për errësirën por është më mirë të ndezësh një qiri. Nëse nuk të pëlqejnë gjërat si janë atëherë mundohu të bësh diçka që t’i ndryshosh.