Për vite me radhë, Ahmeti kishte dhënë gjithashtu mësim në universitetin amerikan AUK për politika publike, duke përgatitur gjoja kuadrot e ardhshme në menaxhim me buxhetet. Mirëpo, larg nga teoria, në praktikë Ahmeti ka treguar të kundërtën, duke u treguar shumë i dobët në menaxhim.
Të dhënat zyrtare tregojnë se kryetari Ahmeti ka pasur një bilanc shumë të dobët në planifikim dhe zbatim të buxhetit të shpenzimeve kapitale, të cilat prekin më së shumti jetën e qytetarëve. Performanca e Komunës së Prishtinës po përdoret nga Lëvizja Vetëvendosja edhe si model që do ta aplikojnë në Kosovë nëse marrin pushtetin.
Por, shumica e indikatorëve nuk tregojnë asgjë tjetër, përveçse dështimin e tyre në Prishtinë. Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2015 tregon se Komuna e Prishtinës kishte arritur që të shpenzonte vetëm 62% të buxhetit të parashikuar për investime kapitale. Për më tepër, auditori nxjerr në pah se Komuna e Prishtinës edhe është përpjekur ta fryjë këtë buxhet, duke deklaruar 14 pagesa prej 630, 856 euro në kuadër të shpenzimeve kapitale, ndërkohë që ato duheshin klasifikuar si shpenzime për mallra dhe shërbime.
Absurditeti me menaxhimin e fondeve që vërehet në raportin e auditimit është se Komunës së Prishtinës i kanë tepruar rreth 15 milionë euro (saktësisht 14, 882, 746 euro) si pasojë e paaftësisë në planifikim dhe realizim të projekteve, ndërkohë që kanë një nivel të detyrimeve prej 1, 142, 513 ndaj palëve të treta. Pra, paradoksalisht, Komunës së Prishtinës edhe i teprojnë afër 15 milionë euro, edhe i ka mbi 1 milionë euro borxhe.
I njëjti paradoks shikohet edhe me çështjen e autobusëve të shumëpërfolur, sepse Komuna e Prishtinës ka marrë 10 milionë euro kredi nga EBRD për t’i blerë, ndërkohë që çdo vit i teprojnë pa shpenzuar buxhet më shumë se kaq. Pyetja që shtrohet është se pse duhet që qytetarët të paguajnë interesat e kredisë dhe pse duhej të prisnin gjithë këtë kohë për këta autobusë, kur qeverisja e Shpend Ahmetit ka pasur dhjetëra miliona euro të tepruara.