Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të hënën në Prishtinë se zbatimi i reciprocitetit për targat me Serbinë është e drejtë e ligjshme e Kosovës, e cila, tha ai, duhet të trajtojë me kujdes situatën dhe në bashkërendim me partnerët e saj strategjikë.
Kryeministri Rama po qëndron për një vizitë në Prishtinë në një periudhë, kur Kosova po përballet me tensione në veri, ku grupe qytetarësh serbë po mbajnë të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të zbatuar masën e reciprocitetit me Serbinë për targat e makinave.
Të hënën e kaluar qeveria e Kosovës dërgoi njësitë e posaçme të policisë pë të zbatuar vendimin mbi targat. Kjo nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, i cili tha se ka ngritur shkallën e gatishmërisë ushtarake, ndërsa avionët e tij fluturuan afër vijës kufitare me Kosovën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, kërkoi tërheqjen e njësive të posaçme të policisë nga veriu i Kosovës dhe anulimin e reciprocitetit për targat e makinave
“E drejta këtu është me Kosovën dhe pikë. Nuk është me Serbinë. Serbia nuk ka asnjë të drejtë t’i kthejë targat e automjeteve të përdorimit të përgjithshëm në një përditshmëri konfliktuale, ku mizën po e bën buall, a thua se qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë kur në fakt thjesht po bën zbatimin e një marrëveshjeje reciprokisht të dakordësuar”, tha kryeministri Rama, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti duke i bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të trajtojë me kujdes dërgimin e njësive të posaçme në zonë që të mos shndërrohet “në një problem mes vetë Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë”.




















