Vladimir Putin zhvilloi ditën e djeshme një takim me sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Antoni Guterres, para të cilit e justifikoi pushtimin e Ukrainës duke përmendur pavarësinë e Kosovës.
“Unë e mbaj mend mirë dokumentin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth Kosovës. E kujtoj mirë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, i cili thotë se, ‘zbatimi i të drejtës për vetëvendosje për territorin e secilit vend dhe nuk duhet të kërkojë leje për ta deklaruar sovranitetin nga ai vend’.
Kjo është e shkruar në relacion me Kosovën dhe ky vendim është përkrahur nga të gjithë. Nëse është kështu, atëherë Republika e Donbasit dhe ajo e Doneskut kanë të njëjtat të drejta duke mos zbatuar autoritetin qendror në Kiev për ta deklaruar sovranitetin, pasi që precedenti ekziston”, u shpreh ai.
Por ky koment i Putinit nuk është parë me sy të mirë nga një pjesë e shtypit serb, përfshirë edhe media pranë presidentit Aleksandar Vuçiç, që i kanë marrë ato si një shenjë se Rusia mund të njohë Kosovën si shtet i pavarur.
“Putini njeh Kosovën”, “Për shkak të luftës së tij, Putini harron serbët dhe Kosovën”, “Festë në Prishtinë, Zagreb dhe Sarajevë për shkak të deklaratës së Putinit”, dhe “Putini e godet Serbinë me thikë pas shpine”, ishin disa prej titujve që përcjellin zemërim me deklaratën e shefit të Kremlinit.
Sipas analistit boshnjak, Jasmin Mujanoviç mediat pro-Vuçiçit janë të zemeruara me “tradhëtinë e Moskës”, e pretendojnë se këto mund të jenë sinjale se Rusia mund të njohë Kosovën në këmbim të një zgjidhjeje, me Ukrainën”.




















