Edison Ypi
Ju ishit skllevër, por hiqeshit të lirë, të qeshur, të lumtur.
Ju mbaheshit për trima, por dridheshit nga frika.
Ju hiqeshit më të ndershmit e botës, por s’latë bijë dhe mbesë dhe kushurirë pa e shitur në Itali sapo muarët vesh se kushton sa një lopë.
Ju ishit të uritur, por paraqiteshit të ngopur.
Ju ishit të rreckosur, por mbaheshit për të veshur e të mbathur.
Ju tani jeni të lirë, por ankoheni gjithë kohën, si të palumtur, të pakënaqur, të robëruar, të prangosur.
Ju votoni, por të zgjedhurit nuk i respektoni.
Ju votoheni, por për zgjedhësit nuk doni t’ja dini.
Ju, kishit pak botime nëpër librarira, por lexonit shumë, romane, poezira.
Ju tani keni pafund libra, por lexoni “Aventurat e Noc Rrokut”.
Ju kishit pak mundësi për të parë televizion, por shihnit shumë filma.
Ju tani keni pafund televizione, por shihni pak ose aspak filma.
Ju mbrëmjeve shihni shumë programe televizive me analista dhe opinionista që të lenë pa ment me dijenitë dhe shkathtësitë e tyre gjirizore, por ju s’kuptoni, dhe kurrë s’keni për të kuptuar asgjë, sepse ata duke qënë të shitur nuk thonë dhe nuk do thonë kurrë të vërtetat që j’u interesojnë juve, por rrenat që u interesojnë padronëve kockën e të cilëve ata lëpijnë.
Ju që s’kishit as makina as qerre por kishit shumë qef të udhëtonit, nuk mund të shkonit dot, pa folur për Gollobordën apo Korabin ku po të shihnin të rrasnin menjëherë brenda, as deri në Spille ose Patok, se quheshin zona kufitare dhe të gjente belaja.
Ju tani keni mjete të fuqishme të shpejta dhe rrugë për të udhëtuar, por udhëtoni fare pak ose aspak. Po të kalosh, për shembull, në një vend magjik, nga Peqini në Lushnje përmes Darsisë dhe Dumresë, sheh kodra dhe liqere me të ikë menia e kresë, por sheh a s’sheh nja dy a tre makina, edhe ato të banorëve lokalë.
Ju thoshit se e donit atdheun kur Shqipëria dergjej nën thundrën e një çete vrasësish që e quanin veten çlirimtarë e fitimtarë etj., por tani që Shqipëria nuk është e vrasësave por e juaja, ju nuk doni Shqipërinë, doni Italinë, Gjermaninë, Amerikën.
Ju një herë e një kohë ishit cop e çik, qëni s’kishte ku tu kafshonte, por në Shqipërinë e uritur dhe të rreckosur brohorisnit si të çmendur për kinse suksese në bujqësi, për bukën e siguruar në vend, për festën e grurit etj. etj. madje merrnit dhe çmime ndërkombëtare të ushqimit.
Ju tani keni të hani, dhe hani si derrat, keni mësuar edhe t’i hidhni mbeturinat nëpër kazana që vjen i merr makina disa herë në ditë, por ankohemi se jeni fukarenj, se me zor mbushni barkun etj.
Ju të rinjtë mbaroni shkollat jashtë, por s’gjeni dot punë brenda se karriket i kanë zënë të vjetrit dhe s’i lëshojnë fytin tua çash.
Ju Kosovën ua çliroi NATO, por ua zaptoi mafia.
Ju Maqedoninë perëndimore nuk ua preku kush, por po ua bëjnë çorap politikanët hileqarë dalë prej vetë jush të cilët çirren për Liri dhe Shqiptari derisa e kthejnë pllakën sapo ulen në një kolltuk dhe nisin të heshin si peshq.
Ju doni taksa të ulëta, mundësisht asnjë taksë, por doni dhe makinën të vijë të marri plehrat, doni tu asfaltohen rrugët dhe rrugicat dhe gjithato lehtësira të tjera, me pare të rëna nga qielli.
Ju i telefononi tjetrit, por gjithmonë për hallin tuaj, kurrë për ndonjë hall të tijin.
Ju e ndihmoni partinë të vijë në pushtet, por pothuajse gjithmonë për interesa të vogla, të ngushta, meskine, për shembull, për t’ju gjetur ndonjë punë.
Ju gjithë kohën e vrisni mendjen për dallavere dhe hilera, por nuk leni rast pa u ankuar për korrupsionin e të tjerëve, korrupsionin e administratës.
Ju hiqni spinën e dushit, demek për kursim, por jeni aq të trashë sa nuk dini dhe nuk kuptoni se heqja e spinës nuk është veprim as inteligjent dhe as kursimtar, por thjesht një gjest prej budallai.
Ju, kur jeni shitësa nuk ja vini kurrë çmimin mallit, por kur jeni blerësa jeni gjithë kohën të revoltuar për çmimin që mungon, dhe ç’është më e bukura, me shpresë për të dalë fitimtar gjatë një lufte të fshehtë nervash disaminutëshe me shitësin, nuk ja vini kurrë në dukje mungesën e çmimit të produktit mbi një copë karton, ndërkohë që për t’i kërkuar faturën tatimore as që bëhet fjalë.
Ju, kur jeni hallexhinj, bërtisni në kupë të qiellit kundër korrupsionit, por kur bëheni nëpunësa shndrroheni menjëherë, gjithmonë dhe rregullisht, nga bërtitësa të revoltuar në të korruptueshëm dhe të korruptuar të heshtur dhe tinzarë.
Ju kur jeni fukarenj dhe shihni ndonjërin që pasurohet, s’ju zë gjumi, jeni gati ta shqyeni dhe të merrni kazmën t’ja shembni atë që ka ndërtuar, por kur qëllon që j’u bie ndonjë lek në dorë dhe nisni e majmeni, nisni ta urreni, dhe bëni çmos që mundësisht edhe ta vrisni armatën e fukarenjve, alter egon tuaj, veten e dikurshme, nga frika se mos kthehet e hakmerret për tradhëtinë.
Ju edhe punoni, por punën nuk e bëni mirë, e bëni keq.
Ju dini të punoni dhe mirë, të keni edhe rendiment të kënaqshëm, por vetëm në punët e liga, thashethemet, intrigat, spiunimet.
Ju keni apartamente të mëdhaja të bollshme të teprueshme, por, meqënse të jetuarit nëpër kotecat e dikurshëm j’u ka hyrë në gjak, e pamundur të mos ja merrni frymën vetes duke i mbyllur ballkonet me lloj lloj vetratash dhe duraluminash për tu treguar më të squt se arkitekti.
Ju keni mbi kokë qiell dhe kaltërsi, por nuk i ngrini kurrë kryet t’i shihni.
Ju keni Histori, por nuk doni të lodheni ta njihni, preferoni të shihni filma ku protagonistët dhe heronjtë nuk janë kurrë njerëz normalë, por gjithmonë ose tuhafa ose vrasësa.
Ju keni gjeografi, por nuk doni ta shkelni.
Ju keni fshatra të hatashëm me banorë të mrekullueshëm që refuzoni t’i vizitoni.
Ju keni pyje të magjishëm, të bukur dhe të freskët, por i prisni.
Ju keni mes jush njerëz të ditur dhe të ndershëm, por nuk i respektoni.
Ju keni miq që j’u duan, por nuk i doni, i refuzoni.
Ju flisni keq me fjalë të rënda dhe të hidhura për fqinjin, të largëtin, të huajin, por ngaqë ata i keni frikë, atyre u rrini larg, nuk u afroheni, u mungoni.
Ju flisni butë, me fjalë të ëmbëla për të afërmin, mikun, familiarin, por ngaqë të afërmëve që nuk nuk ua keni frikë sepse prej tyre nuk j’u vjen asnjë rrezik, u afroheni jasht mase, i invadoni, i rrini ngjitur, i bezdisni, u zini gjithë hapësirën, u teproni.
Ju keni ligje moderne që nuk i respektoni.
Ju jeni të rrethuar me qytetërim prej të cilit nuk doni të mësoni.
Ju dini shkrim e këndim, por nuk lexoni.
Ju edhe kur lexoni, nuk kuptoni.
Ju edhe po të kuptoni, nuk ndjeni.















