Dionesa Ebibi
Në Galerinë Kombëtare të Kosovës u hap ekspozita “Nën Presion”, autorë të së cilës janë Gjergj Islami, Denada Veizaj, Gjergj Thomai dhe Enrico Fontanari. Ekspozita ka për qëllim prezantimin e projekteve arkitekturore, të cilat ishin të realizuara para viteve të ’90-ta në Shqipëri. Kuratorët e kësaj ekspozite janë Eliza Hoxha dhe Ilir Gjinolli. “Under pressure” ose “Nën presion” në shqip është puna dhe përpjekja e katër arkitektëve dhe urbanistëve për të deshifruar Shqipërinë komuniste duke shfrytëzuar si mjet arkitekturën, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, në hapje të kësaj ekspozite vlerësoi se kjo iniciativë është mirëpritur dhe cilësoi se kjo ekspozitë paraqet realitetin e Shqipërisë së asaj kohe dhe mënyrën sesi arkitektët e bënin punën e tyre dhe shprehnin atë që kërkohej. Në anën tjetër, Eliza Hoxha në emër të ekipit kuratorial u shpreh se kjo ekspozitë tregon dallimet e komunizmit në hapësirë ose në formë mes Shqipërisë dhe Kosovës. “Periudha e cila trajtohet në këtë ekspozitë është koha e komunizmit ose socializmit të interpretuar në hapësirë ose në formë, në fakt përveçqë është një periudhë e njëjtë në krejt bllokun lindor, për shkak të kushteve politike ka dallime në mes të asaj se çka ka ndodhur në Shqipëri dhe çka ka ndodhur në Kosovë në disa kontekste të tjera”, ka thënë Hoxha. Ajo më tutje ka kujtuar se arkitektura e asaj kohe ka qenë nën ombrellën e shtetit. Po ashtu zhvillimet janë bërë nga shteti dhe e njëjta ka vlejtur edhe për ndërtimet. Hoxha sqaron se relacionet mes pushtetit dhe arkitekturës kanë qenë ndër temat kryesore që shqyrtohen brenda ekspozitës. “Ne shkojmë shumë shpesh në Shqipëri e rrugës hasim në ndërtesa të ndryshme, të cilat sonte ishin pjesë e ekspozitës, por shumë pak e dinë se çfarë rrëfimi fshihet pas tyre. Si kanë ardhur ato ndërtesa në jetë, si ka qenë procesi i ndërtimit, kush ka qenë vendimmarrës dhe pse është ajo formë e tillë e ndërtesës dhe cilës kohë i takon. E pikërisht kjo ekspozitë shpalosi sonte gjithçka çfarë fshihet pas atyre ndërtesave sa të bukura, aq edhe unike”, tha kuratorja Hoxha.
Hoxha cilësoi se ekspozita në fjalë ka rëndësi për të rinjtë, të cilët shumë pak dinë për kontekstin e socializmit dhe komunizmit. Njëri nga arkitektet që prezantohet në këtë ekspozitë, Gjergj Islami, theksoi se ndihet i lumtur që sheh shumë të rinj në sallë. Ai tha se besonte që shumë të rinj nuk e njohin mirë komunizmin në Shqipëri, historinë e mirëfilltë të tij dhe se si ky komunizëm mund të prodhojë një arkitekturë që është unike dhe e lidhur tërësisht me raportin që politika dhe pushteti kanë pasur mbi projektuesin. “Pa dyshim që në komunizëm ka një seri elementesh të veçanta që e kthejnë realitetin e Shqipërisë së asaj kohe të jetë i lidhur fortë me arkitekturën dhe se si arkitektët e bënin punën e tyre. Shkolla e parë e arkitekturës është hapur në Shqipëri në vitin 1969 dhe shumica e profesorëve ishin inxhinierë, më pas këta njerëz nuk patën më asnjë kontakt me botën e jashtme përveç ndonjë kontakti sporadik deri në vitin 1990”, u shpreh arkitekti Islami. Më tutje ai tha se këto ishin ngacmime që i rikujtoi për publikun, kurse ekspozitën kërkoi që ta zbulojë audienca sipas interesit.

Denada Veizaj, njëra nga arkitektet që prezantohet në këtë ekspozitë, tha se ky projekt fillimisht lindi si një kuriozitet profesional dhe se grupi donte të dinte se cila ishte rutina e gjeneratës së arkitektëve para viteve të ’90-ta. “Ne jemi arkitektë dhe kërkues shkencorë në të njëjtën kohë, sigurisht që duke qenë arkitektë ne kishim një lloj kurioziteti se cila ishte rutina e arkitektëve të gjeneratës së viteve të ’90-ta. Ky është viti i katërt gjatë të cilit ne jemi duke u marrë me këtë projekt. Gjatë këtij projekti jemi përpjekur të tregojmë dy histori, një histori kontekstuale e cila lidhet me historinë e Shqipërisë, me kuriozitetin që ne kemi se çfarë ka ndodhur në periudhën e komunizmit dhe historia e dytë është një temë më gjenerike, e cila në thelb sjell një variacion mbi temën që arkitektura krijon me pushtetin”, u shpreh ndër të tjera Veizaj.
Në këtë ekspozitë u prezantuan tetë episode, ku secili episod i kishte pikat, elementet kryesore dhe karakteristikat e veta. Zëri























