Nga Sokol Shameti
Vota britanike për daljen nga Bashkimi Europian ka mërzitur shumë njerëz në Tiranë.
Së bashku me domethënien e saj si parafjalë e shpërbërjes së një familjeje pasanike tek porta e së cilës varfanjakët shqiptarë kanë 25 vjet që presin pa sukses, divorci i Britanisë me Europën po shërben si një ilaç që po i nxjerr gjumin e po i bën esëll qytetarët e këtij vendi ku zjarri i euroentuziazmit s’është lënë të shuhet kurrë.
Jo! Europa e Bashkuar nuk qenka një utopi e pavdekshme. Ajo mund të pushojë së ekzistuari shumë kohë përpara shekullit që na duhet neve ta arrijmë me vrap trenin e saj ekspres. Pra, ne mund ta arrijmë trenin e saj shumë kollaj sapo atij t’i ndalojë motori. Zjarri që e ushqen atë s’paska qenë i përjetshëm. Medet, paska qenë e gjitha një përrallë!
Në fund të fundit, çdo utopi shkakton traumë në momentin e zbulesës si utopi për ata që kanë besuar tek ajo. Mirëpo, përveç atyre që po traumatizohen nga zbulimi se Bashkimi Europian mund të ketë qenë edhe thjesht një lloj ninulle për t’i mbajtur ata nën zap kaq vjet, mërzia ka kapluar edhe kastën e atyre që për 25 vjet me radhë i kanë nanurisur shqiptarët me përrallën e Europës.
Lajmi i daljes së Britanisë nga BE është pritur me një ndjenjë të përbashkët paniku dhe pezmatimi nga e gjithë klasa pseudopolitike në Shqipëri e cila së bashku me rënien e mitit të Europës tek shqiptarët, parandien edhe shembjen e ngrehinës së tyre të iluzioneve.
Për vite të tëra, të ashtuquajtur të majtë dhe të djathtë në Shqipëri kanë sunduar të qetë duke kërkuar nga qytetarët sakrifica në emër të një koncepti abstrakt si integrimi. Në emër të një premtimi që ka brenda diçka nga luga e artë dhe çeku i bardhë së bashku, shqiptarët janë grishur të besojnë tek ekonomia e tregut, tek pushteti financiar i bankave.
Me shpresën tek kjo Europë e begatë që kurrë nuk na deshi plotësisht, aftësia jonë prodhuese u mpak e u asgjësua, forca jonë krijuese u shpërngul, rinia jonë u dëbua, tregu ynë u pushtua, industria jonë u shpall e ndaluar dhe shpresa jonë për zhvillim u var në një gozhdë të pasigurt imagjinare si “integrimi”.
Shqiptarët i përkasin një populli, që në shkëmbim të disa programeve qesharake ndihme (lëmoshe) u sh’punësua pak nga pak. Njerëzve këtu, në kuptimin më konkret të fjalës iu mor puna, duke i shndërruar më pas në një variant modern “veglash që flasin” në rezervë. Në një depozitë krahu të lirë pune që furnizon pikërisht këtë Europë të industrializuar e cila prodhon dhe lulëzon me garancinë se ne (dhe shumë të tjerë si ne) po mbahen përdhunshëm larg konkurrencës, larg prodhimit dhe larg zhvillimit.
Me pretekstin se “këtë e kërkon Europa, Brukseli, etj”, shqiptarët janë joshur të lëshojnë njërën pas tjetrës të drejtat e tyre publike, edukimin, emancipimin, vënien në pikëpyetje të gjithçkaje – praktikisht të vetmet ide që përbëjnë Europën shpirtërore prej Dekartit e tëhu.
Lider politik tek ne është kurorëzuar vetëm ai që ka miratuar “Europa”. Pushteti është quajtur i padiskutueshëm vetëm kur e ka certifikuar “Europa”. Përmes varfërisë dhe premtimit për mirëqenie, njerëzve u është vrarë nervi i kritikës derisa kanë arritur në një pikë depolitizimi dhe terrorizimi prej politikës që ti e has vetëm në diktaturat despotike.
Për këtë arsye, vota britanike për dalje nga Europa ishte një gotë me ujë të akullt në fytyrën e të fjeturve por edhe një parathënie rreziku për ata që u intereson gjumi i shqiptarëve.
Jo më kot, nervozizmi ishte i dukshëm në mesazhin që sunduesi shqiptar i radhës shpërndau menjëherë pas lajmit: “… për ne nuk ka asnjë rrugë tjetër nga kjo e integrimit europian, për t’u bërë një shoqëri që bashkëjeton me ligje, funksionon përmes institucioneve dhe zhvillohet mbi disa vlera, parime e rregulla të gjithëpranuara. Të cilat, pa Europën, pa kaluar përmes “ferrit” të procesit të integrimit europian, ne nuk do të ishim kurrë të aftë t’ia impononim vetvetes, në këtë fazë të historisë sonë.”
Mjaftojnë vetëm këto pak rreshta në një reagim të Edi Ramës pas rezultateve të referendumit të Brexit, për të kuptuar se tashmë situata për të dhe të ngjashmit e tij është bërë dramatike.
Gati 100 vjet pas Ilija Garashaninit që e konsideronte prapambetjen, paaftësinë shtetndërtuese dhe barbarinë e shqiptarëve si një justifikim të mjaftueshëm për t’i atashuar ata brenda civilizimit serb, një kryeministër shqiptar i quan përsëri shqiptarët të paaftë për t’u qytetëruar e për t’u shtruar nën ligje, përveçse nën hijen e dikujt.
Mirëpo, jemi në kufijtë e absurdit. Ajo çka Rama u kërkon tashmë shqiptarëve është të vazhdojnë të besojnë se ai është princi i një përralle që u demaskua se është trillim. Si përherë përmes fyerjes, ai po u kërkon njerëzve ta pranojnë atë si mëkëmbës të një fuqie supreme, pikërisht në ditën e shthurjes së saj.
A do të mundin dot shqiptarët të dalin nga magjepsja e “Europës” si utopi, të shkundin vargonjtë e kësaj loje të tejzgjatur iluzioniste dhe të vendosin më në fund t’u tregojnë derën shërbëtorëve të të huajit dhe të bëjnë një shtet të tyrin? Një atdhe që më në fund u shërben bijve të vet, që u jep atyre punë, bukë, shpresë dhe zhvillim? Është ndoshta koha për një “Alexit”!














