Petrit Kuçana
Mbetet gati retorike kjo pyetje ndërsa ndjek zhvillimet në Shqipëri, ku klasa politike duket se thjesht po përpiqet që të fitojë kohë dhe të gjejë mënyra komunikimi për shmangjen e kësaj teme.
“Meqenëse vota e emigrantëve do të zhvillohet në distancë mund të përdoren mjete të postës dhe ajo ka elementë teknikë dhe ne si ligjvënës nuk jemi në gjendje t’i parashikojmë deri në detaje. Këtë të drejtë ia kemi deleguar KQZ-së dhe aktet nënligjore të KQZ do të parashikojnë se si mund të ushtrohet vota e emigrantëve, pasi emigrantët të regjistrohen dhe në listat përkatëse zgjedhore” – është shprehur bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri.
Në tavolinat e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore qëndrojnë plot 52 rekomandime të OSBE/ODIHR-it si edhe sugjerime të Komisionit të Venecias.
Mbase është kaluar faza e zhgënjimit, ndonësë tashmë mbeten krejt të pakumtimta çdo lloj pritshmërie në lidhje me këtë çeshtje. Ështe më pak se lajmi ciklik treditor i çudisë e duket se edhe kësaj radhe do të sajohet ndonjë justifikim, që na e pamundësokërka votën e diasporës. Duket se nuk ka kurrfarë rëndësie fakti i thjeshtë, turpërues, se shqiptarët e Republikës së Shqipërisë janë të vetmit në rajon dhe më gjerë, që nuk kanë të drejtën e votës në vendet ku ata jetojnë. E mbase do të zhgënjehen edhe ata që kishin pritshmëri edhe nga opozita që ta vinte si kusht të patjetërsueshëm këtë të drejtë.
Vazhdon të jetë një mjegullnajë që nuk prodhon ndonjë qartësi që mund të ringjallë ndonjë shpresë. Mbeten kokëfortë shifrat e shqiptarëvë që jetojnë në diasporë, ku sipas ministrit Majko janë të paktën gjysma, mirëpo askush nuk e merr përsipër qoftë edhe të përgjigjet se pse asnjëherë nuk u bë regjistrimi i diasporës në vendet ku ata jetojë, ku sipas Kushtetutës çdo fëmijë që ka të paktën njërin prind shqiptar, fiton automatikisht shtetësinë shqiptare.
Kaq e koklavitur mbetet kjo çështje, saqë as nga Ministria e Diasporës nuk duket asnjë përpjekje serioze për të hequr maskën e turpit. Më kot rrekesh të gjesh ndonjë përgjigje për numrin e shqiptarëve në Turqi, apo në vendet që konsiderohen si Diasporë e Vjetër e deri tek shifrat prej rreth gjysëm milioni të shqiptarëve të pajisur me pashaporta europiane në 10 vitet e fundit.
Do të dukej naive pyetja se kush ka frikë nga diaspora, krejtësisht normale e mbase e gjithëpranueshme se diaspora do ta bënte Shqipërinë më të mirë.
Çdo skeptik do të mjaftonte të shikonte profesionistët e shumtë shqiptarë nëpër botë, që po shkëlqejnë në çdo fushë të jetës, pakrahasimisht ndryshe nga gjysëm analfabetët e parlamentit të sotëm shqiptar.
Diaspora ndoshta është e vetmja shpresë, edhe për ata që kanë shtesëzuar zhgënjimet duke u bindur çdo herë e më shumë se ai vend nuk bëhet.
Në vend të një debati kombëtar, pikërisht për këtë çështje, specialistët e marrëdhënieve me publikun kanë zgjedhur të notojnë nëpër llumin e politikës ditore ku diaspora kurrsesi nuk është temë e preferuar.
Kushedi edhe sa herë do të duhet të ngremë këtë pikëpyetje; A do të votojë diaspora? Të paktën si Kosova…




















