Vendimi
Qeveria miraton projektligjin: Jo info për median dhe aktivitet politik e fetar
Ushtarakët nuk duhet të pinë alkool dhe të luajnë kazino me uniformën e tyre. Qeveria ka miratuar dje projektligjin “Për disiplinën në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, ku sanksionon një sërë kriteresh që e ndalon ushtarakun të veprojë gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Në këtë draft është vendosur që ushtarakut i ndalohet rreptësisht të merret me politikë apo të propagandojë për ndonjë parti, kandidat të pavarur. “Forcave të Armatosura i ndalohet: përkrahja ose pjesëmarrja në aktivitete të organizatave politike, fetare ose jofitimprurëse, gjatë orarit të punës, në vendin e punës ose në mjetet ushtarake, si dhe në rastet kur mban uniformën ushtarake ose shenja të saj; lejimi i personave nga organizata politike, fetare apo çdo organizatë tjetër jofitimprurëse të bëjnë propagandë në ambientet e FA-së dhe në mjetet që ato disponojnë; përdorimi, shpërndarja apo vendosja në mjetet ose në ambientet ku shërbejnë FA-të e simboleve apo reklamave të organizatave, politike apo shoqërore, me përjashtim të atyre me karakter humanitar; organizimi, nxitja apo pjesëmarrja në grevë;
kryerja e riteve fetare me uniformë në institucionet fetare, jashtë ambienteve të Forcave të Armatosura; publikimi apo dhënia në media e informacioneve, që lidhen me veprimtarinë e FA-ve, si dhe shpërndarja e dokumenteve zyrtare të paklasifikuara, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi”, thuhet në projektligj. Ndër rregullat e tjera ndaluese është përdorimi i pijeve alkoolike gjatë punës/shërbimit apo në rastet kur është me uniformë, me përjashtim të aktiviteteve zyrtare, si dhe hedhja në rrjetet sociale të pamjeve personale apo të çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak. Pjesëtarëve të FA-ve u ndalohen “ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera gjatë ose jashtë orarit të punës; përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura për qëllime private gjatë apo pas kryerjes së detyrës, përjashtuar rastet kur është i autorizuar për këtë gjë; përdorimi i lojërave të bixhozit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale”, thuhet në këtë draft.
Armë për Irakun
Qeveria mori vendimin për dhënien e armatimit, pa shpërblim, qeverisë së Republikës së Irakut, të hequr nga armatimi e përdorimi, që është i tepërt dhe jashtë nevojave të FA-ve si kontribut në kuadër të përpjekjeve të koalicionit ndërkombëtar kundër terrorizmit.















