Deputetët demokratë të 3 komisioneve paralele arritën në përfundimin se nga projektligji i ri përfitojnë vetëm 150 minatorë, 40 më shumë se vitin e kaluar
Ndërsa ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, e quajti sukses projektligjin për uljen e moshës me 5 vjet të daljes në pension të minatorëve, deputetët demokratë e cilësuan draftin si një demagogji e radhës nga qeveria. Nga një diskutim mes deputetëve demokratë të të 3 komisioneve, ata arritën në përfundimin se ulja me 5 vjet e moshës së daljes në pension të minatorëve nuk është rritje e drejtpërdrejtë e përfitimit, pasi ulja e moshës do të shoqërohet me një rritje prej 5 për qind të kontributit të sigurimeve shoqërore. Gjithashtu, deputetët demokratë dolën në përfundimin se nga kjo skemë përfitojnë një numër shumë i vogël i njerëzve që kanë bërë punë të rënda e për pasojë duhet të shpërblehen. Po ashtu, të djathtët u shprehën edhe për projektbuxhetin 2015, që, sipas tyre, është një projeksion i varfërimit të mëtejshëm të shqiptarëve.
Pensionet e minatorëve
Deputetët e Partisë Demokratike në komisionet parlamentare të Ekonomisë, Shëndetësisë e Çështjeve Sociale dhe Veprimtarisë Prodhuese arritën në përfundimin se qeveria po bën një demagogji me pensionet e minatorëve, pasi ulja me 5 vite e moshës së daljes në pension shoqërohet me një rritje prej 5% e kontributit të sigurimeve shoqërore. Sipas tyre, përfitimi do të jetë minimal, aq sa prek vetëm 150 persona gjithsej ose 40 më shumë se një vit më parë. “Qeveria shet 5 vjet më pak daljen në pension në këmbim të një kontributi prej 5% më shumë, që do të thotë me pagesën aktuale, një rritje prej 18% të kontributeve që do të jepen në sektorin e industrive nxjerrëse minerale. Në vend që të kemi një ligj që rrit përfitimet, kemi një ligj që rrit taksat në mënyrë të diferencuar dhe që ul numrin edhe pse këtu thuhet në relacion që do të jenë 3. 896 veta që do të përfitojnë”, – tha Bode.
Ndërsa anëtarja demokrate në Komisionin e Shëndetësisë, Albana Vokshi, e vuri theksin tek profesionet e tjera të vështira, të cilat nuk preken nga projektligji i ri i hartuar nga qeveria. “Bashkë me këtë projektligj ne do të donim të kishim edhe profesionet e tjera të vështira, si metalurgët, polumbarët, punonjësit e ferrokromit, pilotët, artistët e cirkut, të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve, operës, instrumentistët frymorë etj., të cilët nuk janë prekur aspak me këtë projektligj”, – tha Vokshi.
Një fakt tjetër absurd, sipas Vokshit, është se personat që të përfshihen në këtë projektligj duhet të kenë një përvojë pune në miniera 30 vjet. Por, sipas deputetes demokrate, nuk ka minator që ka punuar 30 vjet dhe që është i siguruar. “Sipas projektligjit, minatorët do të dalin 55 vjeç në pension, por duhet të kenë 30 vite punë. Desha të pyesja edhe ministrin se sa minatorë i kanë 30 vite punë të siguruara?”, – theksoi Vokshi. Ndërsa deputeti Sherefedin Shehu tha se me këtë projektligj qeveria u rrit barrën bizneseve, ndërsa ul të ardhurat për minatorët. “E parë në këndvështrimin e biznesit, kjo skemë është një rritje e kostos, por në një moment të papërshtatshëm për biznesin sepse para dy javë qeveria ka kaluar një vendim shtesë që kërkon investime shtesë në miniera, për të krijuar disa standarde që janë të panevojshme momentalisht por që janë shumë të kushtueshme për to. Pra, minatorët do të paguajnë për 5 vitet e daljes më herët në pension”, – tha Shehu.
Projektbuxheti 2015 varfëron qytetarët
Demokratët diskutuan edhe për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm. Sipas ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode, buxheti i ri rrit taksat dhe nuk parashikon rritjen e të ardhurave për qytetarët. “Parashikimi për rritjen e pagave është zero. U bënë dy vjet rresht që pagat nuk po rriten. Për 600 mijë pensionistë, përllogaritet një rritje që shkon 12 milionë dollarë, që është pothuajse 2 dollarë rritje në muaj. Nga ana tjetër dinamika e rritjes së çmimeve është jashtëzakonisht e madhe. Gjithë paketa e re fiskale që ka ardhur është një paketë që rëndon konsumatorin, qytetarin”, – tha Bode. Sipas deputetit demokrat me paketën e re fiskale preken më shumë shtresat më në nevojë. “Shtresat më të ekspozuara janë të pambrojtura përballë zhvillimeve jo të këndshme të ekonomisë tonë, ndrydhjes së ekonomisë, rritjes së papunësisë, rritjes së çmimeve, dhe një pjesë e çmimeve të diktuara nga politikat fiskale të qeverisë, siç është rritja e çmimit të energjisë apo rritja e taksave mbi karburantin, që do të thotë shtrenjtim i të gjitha produkteve që konsumon popullsia”, – tha Bode.
Qëndrimet
Ridvan Bode
-Projektligji që diskutohet dhe do zbatohet, në fakt, është një demagogji dhe një propagandë e cila synon që të lajë duart me premtimet elektorale dhe me angazhimet e tjera politike të mazhorancës aktuale, të cilët premtuan se do të ulin moshën e pensionit për pensionistët.
-Qeveria shet 5 vjet më pak daljen në pension në këmbim të një kontributi prej 5% më shumë, që do të thotë me pagesën aktuale, një rritje prej 18% të kontributeve që do të jepen në sektorin e industrive nxjerrëse minerale.
-E gjithë ajo që ky ligj sipas përllogaritjeve të vetë qeverisë ofron për qytetarët, është që do të jenë 150 veta që do të përfitojnë një pension në bazë të këtij ligji, pasi gjithë pjesa tjetër prej 3.690 vetave që do të mbulojë ky ligj tashmë janë në një skemë pagese nga ana e buxhetit dhe jo kundrejt kontributeve shtesë.
Albana Vokshi
-Shohim se përfituesit do të jenë shumë të pakët dhe numërohen me gishtat e dorës. Në nivelin makro, mund të them që është një projektligj shumë selektiv. Projektligjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe kategoritë duhet të karakterizohen sipas vështirësisë së profesioneve.
-Me artificën e uljes së moshës së pensionit por mbajtjes të njëjtë të viteve të punës, por dhe rritjes së përqindjes së sigurimeve shoqërore, mazhoranca pseudo-sociale nuk sjell asnjë risi pozitive dhe shprese për ta.
Sherefedin Shehu
-Minatorët dhe kompanitë minerare do të bëjnë 5 vite pension, për minatorët e punësuar, përmes një kontributi shtesë prej 5 %. E parë në këndvështrimin e biznesit kjo skemë është një rritje e kostos por në një moment të papërshtatshëm për biznesin
Kozma Dashi
-Ky projektligj është farsë. Shqetësimi im është që së fundmi, 600 naftëtarë, të cilët duhet të përfitojnë në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, po enden dyerve të gjykatave të Fierit. Konkretisht, 200 të parët kanë fituar gjyqin me Albpetrolin, pasi me makinacione nga më të çuditshmet, Albpetroli u ka mohuar vjetërsinë dhe u njeh vetëm atë pas vitit 1999.
Sot, dita e fundit e aplikimeve, garë e fortë për departamentet dhe sekretariatin
Dita e sotme është e fundit, ku anëtarët e Partisë Demokratike do të mund të aplikojnë për 22 departamentet dhe 6 sekretariatet. Burime nga selia blu, bën me dije se gjatë ditës së djeshme, krahasuar me 4 ditët më parë janë bërë më shumë aplikime për drejtoritë përkatëse. Gara u shpall me 30 tetor nga kryetari Basha, i cili me anë të një udhëzimi i bënte thirrje çdo anëtari me kualifikim cilësor që të aplikonte për strukturat e reja në PD. Në bazë të udhëzimit të kreut të opozitës, pas mbylljes së aplikimeve do të jetë Këshilli Kombëtar që me votë do të caktojë drejtuesit e 22 departamenteve dhe 6 sekretariateve.
















