Me një copëz trashëgimie dhe një takim me një nga emrat e njohur të kinematografisë botërore, pardje filloi edicioni i 12-të i Tirana International Film Festival, që do të zgjasë deri më 9 nëntor.
Si ogur i mirë i këtij edicioni shërbeu filmi “Tomka dhe shokët e tij”, i cili u shfaq për publikun shqiptar pas restaurimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas filmit “Nëntori i dytë”, ishte radha e tij që t’i shpëtonte shkatërrimit. Një lajm i mirë, një shpresë se do t’u vijë radha edhe filmave të tjerë. Filmi u prezantua nga drejtoresha e Projektit të Kinemasë Shqiptare, Regina Longo. Ndërsa në tapetin e kuq shkelën edhe protagonistët e këtij filmi, fëmijët e dikurshëm, Tomka dhe shokët e tij, që sot tashmë janë rritur.
Por thelbi i këtij festivali me moton “Mendojmë ndryshe, shohim njëlloj” është gara. Këtë vit do të konkurrojnë në kategori të ndryshme, film artistik, dokumentar, i animuar, eksperimental, etj., plot 83 filma, të përzgjedhur mes mijëra filmash kandidatë.
Si asnjëherë tjetër, kërkesat për pjesëmarrje në këtë edicion kanë shënuar një numër rekord: 5.464 filma nga 107 vende të botës. Si çdo vit, programi i shfaqjeve do të jetë i ngjeshur. Përveç shfaqjes së filmave në garë, do të ketë edhe projeksione speciale si “9 x 10 Novanta” nga Istituto Luce, “Quando C’era Berlinguer” nga Walter Veltroni, “The hero” i Luan Kryeziut dhe “In grazia di Dio” i Edoardo Winspeare. Ndërkohë që një vend i rëndësishëm i është lënë debatit për kinematografinë, por edhe seminareve që u shërbejnë më së shumti kineastëve të rinj. Me një syresh filloi pikërisht edicioni i 12-të.
Qendra Kombëtare e Kinematografisë, në bashkëpunim me Tirana International Film Festival vendosi të organizojë një seminar vetëm për kineastët e rinj. Eksperti i një prej organizatave më të rëndësishme në Europë për trajtimin, zhvillimin dhe organizimin e rrjeteve të producentëve “EAVE”, Katriel Shory, udhëheq seminarin, i cili ka nisur ditën e diel e do të vijojë edhe ditën e sotshme. Ai po merr në analizë të detajuar 12 skenarë të përzgjedhur dhe po konsulton me autorët e rinj për fazat në vazhdim të projektit.
Kulmi i këtij festivali është pa dyshim nata e çmimeve. Si çdo vit, do të ndahen trofe për të gjitha kategoritë e filmave në garë. Konkurrentët do të gjykohen nga katër juri të ndryshme për filmin e gjatë artistik, për atë me metrazh të shkurtër, për filmin shqiptar, i cili do të konkurrojë në një kategori më vete, si dhe juria e medias. Juritë përbëhen nga emra të njohur të kinematografisë, shqiptarë e të huaj.
Çmimet
• Filmi më i mirë me
metrazh të gjatë
• Regjisori më i mirë
• Skenaristi më i mirë
• Montazhi më i mirë
“Luc Barnier”
• Filmi më i mirë
• Aktorja/aktorja më i mirë
• Filmi më i mirë ballkanik
• Filmi më i mirë i shkurtër
• Filmi më i mirë i animuar
• Dokumentari më i mirë
• Eksperimentali më i mirë
• Shorti më i mirë
(për herë të parë)
“Ron Holloway”
• Shorti më i mirë shqiptar
• Studenti më i mirë (filmi)
• Çmimi i medias
• Çmimi i publikut
Në garë
Filmi me metrazh të gjatë: 8
Filmi me metrazh të shkurtër: 29
Eksperimentali: 11
Dokumentari: 6
Filmi i animuar: 10
Filmi shqiptar me metrazh të shkurtër: 19.


















