Dërgimi i projekt-buxhetit për vitin 2015 në Parlament, e gjeti Partinë Demokratike në “grevën” e saj të bojkotit, të nisur që në datën 10 korrik. Ditën kur qeveria shqiptare ka dërguar në Kuvend projekt-buxhetin për vitin 2015, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur ekspertët e ekonomisë në SHQUP. Në këtë takim është vendosur që, pasi të marrin në dorë projekt- buxhetin 2015, do të ngrihen grupe pune për t’i bërë oponencë. Mbledhja e ekonomistëve të djathtë të kryesuar nga Basha është bërë për të diskutuar ligjin më të rëndësishëm financiar të shtetit, i cili sipas zërave brenda PD-së shihet si hap i parë i dhënies fund të bojkotit në Kuvend. Mësohet se grupi i PD-së që është pjesë e Komisionit të Ekonomisë, me ndihmën edhe të ekspertëve të opozitës kanë hartuar dhe planin se si do të veprojë grupi i punës pas daljes së projekt-buxhetit të vitit 2015, i cili si fillim kalon për diskutim në Komisionin e Ekonomisë. Por çështja më e debatueshme dhe vetë brenda PD-së është se si do ta bëjë opozita oponencën për projekt-buxhetin kur dihet që vijon bojkoti. Dilema e vetme është nëse do të vijojë ta kundërshtojë, siç ka bërë deri tani nga SHQUP-i, me deklarata të deputetëve dhe koordinatorëve apo do të rikthehet dhe ta propozojë variantin e saj atje ku duhet, në Parlament. Diskutimi Edhe pse zyrtarisht drejtuesit e PDsë takimin e djeshëm e kanë cilësuar një ditë pune të zakonshme, në të cilin analizohen dhe komentohen vendimet e qeverisë dhe të Kuvendit, siç është bërë nga fillimi i sesionit të vjeshtës, burime nga sekretariati i Partisë Demokratike shkojnë më larg. Sipas tyre, opozita dhe ekspertët e saj po përgatisin grupin e punës, i cili do të hartojë projekt-buxhetin për të shkuar dhe për ta mbrojtur në Kuvend. Rikthimi i deputetëve të djathtë në Kuvend, sipas sekretariatit të PD-së, do të bëhet ditën kur rend dite në seancën parlamentare do të jetë diskutimi i projektbuxhetit. Ndërkohë që ende nuk ka një vendim për ndërprerje të bojkotit, demokratët po hartojnë strategjinë për oponencën që do t’i bëhet projekt-buxhetit. Sipas opozitës qeveria dështoi në vitin e saj të parë për të mbledhur të ardhura apo për të bërë investime. Nuk ia doli të luftonte evazionin fiskal dhe për të mbushur buxhetin, sërish po bën të njëjtin gabim, po i bie shkurt, duke rritur taksat.
Propozimi
Ekspertët demokratë, gjatë takimit, kanë propozuar se ky projekt-buxhet duhet të bashkëveprojë me institucionet dhe grupet e interesit për të vendosur se si do të përdoren me sa më shumë efektivitet të ardhurat e mbledhura gjatë këtij viti, në 2015-ën. Sipas tyre, disa nga sektorët kryesorë që do të ishte e rëndësishme të mbështesë ky projekt-buxhet duhet të jetë arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. Miratimi i buxhetit 2015 brenda sesionit të vjeshtës, do të bëjë të mundur që ai të bëhet aktiv që në fillim të muajit janar. Në takim e së hënës Basha e konsideroi mjaft shqetësuese panoramën ekonomike që i ofrohet vendit nga qeverisja socialiste. Përfaqësuesit e së djathtës kanë akuzuar qeverinë e Ramës për shifrat gjithnjë në rënie të ekonomisë shqiptare gjatë qeverisjes njëvjeçare të së majtës. Sipas tyre Rama-Meta po i bën shqiptarët më të varfër dhe me më pak mundësi punësimi. Ndërkohë qeveria nga ana e saj ka parashikuar në buxhet një rritje të ndjeshme të investimeve veçanërisht në infrastrukturës, por ekspertët e opozitës janë ndalur në shifrat e këtij viti, ku sipas tyre investimet e parashikuara nga qeveria nuk janë realizuar. Nga ana e saj qeveria ka mbështetur fort, idenë se buxheti për vitin 2014, jo vetëm që do të rrisë ritmet e zhvillimit ekonomik, por edhe se si asnjëherë tjetër do të shtohen ndjeshëm investimet dhe të ardhurat. Projekt-buxheti në të gjithë legjislaturat është shoqëruar me debate të forta mes palëve në Komisionet e Ligjeve por dhe në Kuvend. Pritet që dhe këtë radhë të ndodhë e njëjta gjë, por që kjo gjë të ndodhë, më parë PD-ja duhet të rikthehet në Kuvend.
Garë e fortë për kupolën drejtuese të opozitës
Aplikimi për sekretariat dhe departamente e PD-së vijoi me ritme të mëdha gjatë ditës së djeshme. Më 6 nëntor mbyllen aplikimet për ata që do konkurrojnë për të drejtuar 22 departamente, 6 sekretariate dhe 3-5 nënkryetarë. Burime nga PD bënë të ditur se nga aplikuesit e deritanishëm shanse më të mëdha i kanë prurjet e reja që përbëjnë dhe stafin e ngushtë të kryetarit Lulzim Basha. Deputetët dhe senatorët e PD mësohet se do të mbeten jashtë kupolës drejtuese të PD-së. Fituesit nga vota e Këshillit Kombëtar, do jenë anëtarë kryesie. Gara u shpall me 30 tetor nga kryetari Basha, i cili me anë të një udhëzimi i bënte thirrje çdo anëtari me kualifikim cilësor që të aplikonte për këto strukturat e reja në PD. Sipas strukturës së re të PD-së rëndësi duket t’i jetë dhënë drejtuesve të departamenteve, 22 të tilla. Sekretarët do të jenë 6. Nuk dihet ende nëse të gjithë aplikantët do t’i nënshtrohen votës së Këshillit Kombëtar, apo do të ketë një filtër për seleksionim paraprak. Duhet të zgjidhen edhe sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarët, ndërsa, sipas statutit, kryetari i Partisë do ketë dhe koordinatorët e tij për çështje të ndryshme.















