Ndeshja midis Serbisë dhe Shqipërisë më 14 tetor në Beograd, vazhdon ende të zërë hapësira të konsiderueshme jo vetëm në mediat tona, por edhe në ato ndërkombëtare. Në një intervistë për “Sky Sport”, kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka thënë se pas marrjes së argumentave nga UEFA, do të bëhet edhe një ankesë zyrtare për vendimin e marrë.
“Në këto momente ne jemi në pritje të argumenteve të UEFA, që pritet të vijnë brenda 10-14 ditëve të ardhshme. Pastaj ne do të bëjmë një ankesë zyrtare. Nga këndvështrimi ynë, vendimi i UEFA nuk është marrë në përputhje me ngjarjet që ndodhën. Kjo është e padrejtë dhe ne jemi shumë të zhgënjyer me të”, tha Duka për “Sky Sport”. Në vazhdim kreu i FSHF i rikthehet asaj që ndodhi në stadiumin e Partizanit, duke thënë se në Beograd nuk është marrë parasysh racizmi ndaj futbollistëve shqiptarë.
“Tifozët serbë këndonin “Vrisni shqiptarët deri sa të mos ketë më”. Madje ka pasur edhe parulla politike në të gjithë vendin me njerëzit më famëkeq serbë të kohës së luftës, disa prej të cilëve kanë qenë në Gjykatën e Hagës të akuzuar për krime lufte në Kosovë. Ka pasur edhe të tjera brenda tunelit, që nuk dukeshin. Lojtarët tanë ranë mbi tjetrin dhe u sulmuan me grushte e shqelma nga tifozët, administratorët dhe madje edhe policët serbë. Kapiteni ynë Lorik Cana nuk është ende në gjendje për të luajtur për shkak të dëmtimeve të rënda”, tha ai.
Në fund Duka fajëson edhe njëherë për gjithçka Federatën Serbe, pasi dështoi në organizimin e ndeshjes. “Para ndeshjes u tha se në stadium do të kishte 4000 policë dhe 947 kujdestarë. Por ajo që ndodhi tregoi të kundërtën, Serbia dështoi plotësisht me organizimin. Theksojmë që Disiplina vendosi dënimin e Shqipërisë me humbjen e ndeshjes në tavolinë dhe 100 mijë euro gjobë, ndërsa Serbia humbet 3 pikë nga renditja dhe dënohet me 100 mijë Euro gjobë dhe 2 ndeshje pa tifozë”, tha kreu i FSHF, Armand Duka.















