Fotografia e mjeshtrit Marubi, e realizuar në vitin 1938 dhe mjaft e popullarizuar në publik, ka një histori të veçantë të bashkimit atdhetar. Në fotografi shihen dy poetët gegë, Gjergj Fishta dhe Martin Camaj, si dhe dy toskë, Asdreni me Lasgush Poradecin, në vizitë te Ernest Koliqi.
Sipas gazetës “Shqiptarja”, fotografia ka qenë një takim i poetëve shqiptar dhe është realizuar në Shkodër, ndërsa ishte botuar me shënimin “Takim poetësh shqiptar më 1938”.
“Me rasën e 30-vjetorit të veprimtarisë si ordinar universiteti të prof. Koliqit, po botojmë nji fotografi qi përkujton nji udhëtim në Shkodër më 1938 të poetënve Asdreni e Lasgush Poradeci. Këta dy poetën të jugut të Shqipnisë, të ftuem nga Ernest Koliqi, vizituen Shkodrën, e cila i priti me shfaqje të nxehta sympathije e admirimi. Para një publiku jashtëzakonisht të dendun, në sallën e Kinema Rozafat, poeti kombëtar At Gjergj Fishta u dha mirardhjen dy poetënve toskë me nji fjalim të shkëlqyeshëm si ai e kishte zanatë.
Gjatë ndejes s’Asdrenit e të Lasgushit në Shkodër, qi ngjati pesë ditë, u muer kjo fotografi e cila paraqet të bashkuem katër poetënt qi asokohe njeheshin si përfaqësuesat ma të cilësuem të parnazit shqiptar.
Fotografia doli në të përkohshmen e mirënjohun ‘Përpjekja shqiptare’ e drejtueme nga shumë i vlerti shkrimtar e njeri të pajisun me kulturë të gjanë historike e sociologjike, Branko Merxhani”, thuhet në shënimin e publikuar nga gazeta.















