Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka pritur në një takim ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemajl Minxhozi, ku u bisedua për bashkëpunimin mes dy vendeve gjatë këtij viti, si dhe bashkëveprimin rreth ceremonisë se varrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini.
Eshtrat e Boletinit u verifikuan para pak ditësh nga eksperti mjekoligjor Arsim Gërxhaliu, drejtor i Departamentit të Mjekësisë Ligjore në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa ministri Krasniqi tha se tashmë kanë filluar përgatitjet për ceremoninë e rivarrimit, që bëhet më 28 nëntor.
“Figura e Isa Boletinit është gjithëkombëtare. Pikërisht për këtë një organizim nga të dy vendet tona do t’i bënte nder figurës së tij dhe veprës së tij për liri dhe pavarësi”, tha Krasniqi.
Nga ana e tij, ambasadori Qemajl Minxhozi shprehu gatishmërinë e lartë të institucioneve të Qeverisë së Shqipërisë për të qenë bashkëorganizator të kësaj ceremonie.
“Ne jemi të lumtur që kemi rastin si gjeneratë t’i bëjmë një nder figurës dhe veprës së Isa Boletinit”, deklaroi ai.
Në këtë takim u bisedua edhe për bashkëpunimin në mes dy vendeve në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe sportit, ndërsa Krasniqi e vlerësoi si shumë të suksesshëm këtë vit në kuadrin e bashkëpunimit kulturor mes dy vendeve, me theks në miratimin dhe implementimin e Kalendarit Kulturor.
Krasniqi shtoi se konsultat mes dy ministrive për agjendën e aktiviteteve për vitin e ardhshëm në kuadër të Kalendarit Kulturor tashmë kanë filluar, ndërsa Minxhozi njoftoi ministrin Krasniqi edhe për aktivitetet e ndryshme që Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë do të organizojë gjatë këtij viti.

















