Në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë ekzistojnë dispozitat ligjore, të cilat sanksionojnë pikët e patentave. Gjithashtu, sipas një Vendimi të Këshillit të Ministrave nr. 543, datë 13.6.2013, janë sanksionuar me ligj edhe pikët që hiqen nga patentat në bazë të llojit të shkeljeve. Ndërkaq, për punonjësit e forcave të rendit, të cilët shkelin dispozita të Kodit Rrugor, heqja e pikëve do të jetë dy herë më e madhe se sa për qytetarët e tjerë.
Duhet theksuar se qytetarët shqiptarë janë pak të njohur më dispozitat ligjore për sa i përket pikëve të patentave të tyre dhe gjithashtu këto dispozita nuk janë zbatuar ndonjëherë. Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës gjatë këtij viti ka bërë një punë kolosale për të vënë në eficencë Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë, duke propozuar ndryshime ligjore që rrisin sigurinë në rrugë dhe na afrojnë me normat e vendeve të Bashkimit Europian.
Deri më tani nga ana e organeve të Transportit është bërë një punë e atillë, e cila ka dhënë rezultate rekord për uljen e numrit të aksidenteve, brenda një kohe të shkurtër. Një nga këto ndryshime është edhe neni i Kodit Rrugor që sanksionon patentat me pikë.
Çdo qytetar i pajisur me një lejedrejtim ka një sasi prej 20 pikësh, sipas pikës 1, neni 120/1 i Kodit Rrugor. Çdo ndryshim i sasisë së pikëve u komunikohet të interesuarve nga ana e regjistrit kombëtar. Çdo drejtues mjeti mund të kontrollojë në kohë reale gjendjen e lejedrejtimit të tij, sipas modaliteteve të treguara dhe të përcaktuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR).
Kjo sipas pikës 4, neni 120/1 i Kodit Rrugor. Përveç në rast të humbjes së plotë të pikëve, në rast se brenda 2 viteve nuk kryhet asnjë shkelje e normave të sjelljes që të çojë në humbje të mëtejshme të pikëve të patentës, atëherë rimerren pikët e plota. Në rast se mbajtësit e patentës, të cilët kanë pikë të plota dhe brenda 2 viteve nuk kryejnë asnjë shkelje të normave, që të çojë në humbje të pikëve, do të kreditohen 2 deri në 10 pikë plus. Kjo sipas pikës 5, neni 120/1 i Kodit Rrugor.
Në rastin kur konstatohen njëkohësisht më shumë se një shkelje e normave të sjelljes, maksimumi i pikëve që hiqen është deri në 15 pikë. Kjo sipas pikës 2, neni 120/1 i Kodit Rrugor.















