Çmimi dyshkallësh i energjisë elektrike (deri në 300 KW dhe mbi 300 KW në muaj), i zbatuar nga qeveria Berisha qysh në vitin 2007, është një çmim progresiv, sepse familjet me të ardhura të ulta e paguajnë energjinë me çmim mesatar më të ulët (këto familje mundohen të konsumojnë sa më pak energji mbi kufirin 300 KW në muaj) dhe familjet me te ardhura të larta e paguajnë me çmim më të lartë (këto familje harxhojnë zakonisht shumë më tepër energji se 300 KW në muaj). Por siç historia botërore ka treguar, në vende me nivel të lartë korrupsioni, çmimet progresive (si edhe taksat progresive), pavarësisht qëllimit të tyre të mirë human, u hapin shtegun abuzimeve.
Kështu, nga çmimi dyshkallësh i energjisë, kanë përfituar shumë familje që harxhojnë 600 KW apo 900 KW në muaj, duke vënë 2-3 sahatë elektrikë në një shtëpi, me pretendimin se janë disa kurora nën të njëjtën çati. Në këtë mënyrë, ato e paguajnë të gjithë energjinë e konsumuar me çmimin e ulët të 300 KW të para.
Duke u nisur nga kjo eksperiencë, Banka Botërore, kur i akordoi qeverisë Rama një kredi të butë 150 milion dollarëshe për ristrukturimin e sektorit të energjisë, i kërkoi asaj që të kalojë nga çmimi dyshkallësh në një çmim të sheshtë, duke e shoqëruar këtë ndryshim me subvencione për shtresat në nevojë, të cilat do të preken nga heqja e fashës mbrojtëse prej 300 KW. Dhe qeveria Rama duket e vendosur për të kaluar në një çmim të sheshtë të energjisë, duke ofruar rritje pensionesh dhe ndihmash ekonomike për shtresat në nevojë, të cilat, sipas Ministrit Veliaj, prekin 1 milion shqiptarë.
Ndërkohë që qeveria Rama e ka kuptuar nevojën për mbylljen e shtegut të abuzimeve që krijon çmimi progresiv në një vend me nivel të lartë korrupsioni, ende i qëndron ndryshimit që i bëri tatimit mbi pagat (nga i sheshtë në progresiv), duke pretenduar se Drejtoria e Tatimeve nuk do të lejojë abuzime. Por të dhënat fiskale të 9-mujorit tregojnë se ajo nuk ia ka dalë mbanë…
Kështu, tatimi progresiv mbi pagat ka bërë që bizneset të derdhin në buxhet një tatim më të vogël se më parë për shumicën dërrmuese të punonjve, duke shfrytëzuar edhe faktin se sa më të ulta t’i raportojnë pagat, aq më pak tatim do të derdhin në buxhet. Kështu, arkëtimi nga tatimi mbi të ardhurat personale është ulur 6% (12 milion dollarë) në krahasim me 9-mujorin e 2013-ës. Ndërkohë, duhej që fitimi i raportuar nga bizneset të ishte më të madh. Por po të raportohet fitimi i saktë, bizneset do duhet të paguajnë më shumë tani, sepse tatimi mbi fitimin është rritur nga 10% në 15%. Dhe në fakt, e kundërta ka ndodhur – fitimi i raportuar është ulur 7% (nga 1.16 miliardë dollarë në 1.07).
Në qoftë se nuk do të kishte evazion fiskal, me paketën e re fiskale, qeveria kishte planifikuar që në 9-mujorin e parë të arkëtonte 385 milionë dollarë nga tatimet mbi të ardhurat personale dhe fitimet e bizneseve. Në fakt ka arkëtuar vetëm 365 milionë dollarë nga këto tatime.
Meqë qeveria Rama po kalon nga çmimi progresiv i energjisë që vendosi qeveria Berisha, tek çmimi i sheshtë, ndoshta bën mirë që të kalojë edhe nga taksa progresive që vendosi vetë, në atë të sheshtë që vendosi qeveria Berisha. Dhe për të mbushur gropën fiskale të lënë nga qeveria e mëparshme, ndoshta mund të vendosë një taksë të sheshtë 12.5% për të gjitha llojet e të ardhurave dhe fitimeve. Ndërsa për shtresat në nevojë të bëjë kompensimin që deklaroi ministri Veliaj.
















