Gazetari dhe shkrimtari i njohur Halil Rama vjen me një përmbledhje artikujsh në librin “Testamenti i Atdhedashurisë”, që bien erë Shqipërie.
Shqipëri ngado ta shohësh: nga tema, nga frazeologjia, nga njerëzit- personazhe, …ngado ta kthesh, gjen atdhedashurinë. Në shkrimet e tij nuk ka urrejtje, nuk ka frikë, nuk ka as teprime. Sigurisht, që jo gjithçka i pëlqen, por di ta shfaqë pakënaqësinë.
Pra, di të bëjë kritikën. Ndonjë vlerësim i tij arrin të japë shumë, sa një shkrimtari i jep mundësinë të bëjë një monografi, siç është shkrimi për Xhemal Berishën. “Kudo dhe në çdo rrethanë reflektonte vlera, për të cilat ishte e etur shoqëria jonë. Qe një njeri me nivel të lartë në të gjitha dijet, një filozof dhe psikolog, mësues dhe edukator shembullor, që, gjithkujt i duhet në ditë të vështira. Xhemal Berisha, njëri nga veteranët më të vjetër të kulturës dhe arsimit kombëtar u nda nga jeta me 15 nëntor 2012, në moshën 84-vjeçare”.
Në këtë koncizitet marrim shumë, shumë njohuri për këtë njeri të përkushtuar. Kështu janë disa shkrime në këtë vëllim. Autori vjen nga gazetaria, por jo thjeshtë gazetar. Pasuria letrare shqipe ka disa libra të tij, ndër të cilët spikasin monografia për Gjeneral Parllakun, që e cilëson si “Një legjendë në kufirin e dy kohëve”, me portretin e tij në disa dimensione. Gjithashtu përmendim edhe librin publicistiko-politik “Fundi i rrugës vetme”, monografi për Dine Hoxhën, Muharrem Xhedikun etj. Pra, jo thjeshtë gazetar, publicist.
Megjithatë, gazetaria sundon në krijimtarinë e tij. Me këtë vëllim, botim i Shtëpisë Botuese “Nacional” mendoj se prozës shqipe tashmë i shtohet edhe një vëllim me autorin Halil Rama, i cili vazhdon me dinjitet në lëmin e saj. Tematika e këtij vëllimi me tregime është e mbrujtur me lëndë jetësore nga e cila buron një letërsi e mirëfilltë, e ndryshme nga krijimtaria eksperimentale, herë-herë e tejmbushur me frazeologji boshe. Kur lexon tregimet e këtij autori të mbërthen ideja e ndodhjes krejt rastësisht përballë një realiteti të njohur, por të paraqitur ndryshe, që të bën të ndjehesh mirë.
Histori dhe ngjarje
Halil Rama nuk jep histori, por ngjarje. Jep heronj, të njohur e më pak të njohur, siç është Heroi Kombëtar Azem Hajdari, me titull “Pesha e dhimbjes”. Nëpërmes së mëvonshmes gjen pikën e hershme: “Ai tashmë është i veshur me pavdekësi…Në 12 shtator 1998, vrasësit u shfaqën në formën e djallit dhe e goditën pa mëshirë….”.
Kemi dhe një tregim të bukur për një “hero” pak të njohur, që në gusht të 1949-ës, mori komandën në mbrojtje të kufijve. Më qartë: është historia e centralistit që urdhëroi hapjen e zjarrit ndaj monarkofashistëve grekë më 2 gusht 1949. E ka një lidhje me të mëvonshmen, që si grenzat vijnë e ngacmojnë në ‘plagë’, se ai kufi i marrë padrejtësisht, ku shqiptarët kufizohen me shqiptarë, mbeti plagë.
Pikërisht përsëritja e disahershme më vonë, pas 2 gushtit 1949, e çon autorin në përkujtim të këtij centralisti ‘hero’. Sakrificat janë edhe në ditët e sotme, të cilat i jep nëpër disa tregime, siç është “Rekuiem për ish-gardistin shembullor Arben Zhuzhi”, e që duken se subjektet bashkëjetojnë natyrshëm. Nëpër vëllim nuk mungojë vlerësime të autorëve të tjerë, se fundja, autori ka marrë pjesë në promovimet e tyre, ka dëgjuar edhe të tjerët për to, njeh shumë krijues, se detyra e ka mësuar. Të tilla janë: Monografia historiko-ushtarake “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” e Gjeneral Gëzim Ostrenit – Një vepër unikale me vlera mbarëkombëtare, etj. Së fundi analizon alegoritë e sjella nga Sakip Cami. Përmbledhja me tregime publicistike është një shtesë në bibliotekat tona, që vjen me aromën e atdheut, duke menduar se nuk është vëllimi fundit, por që presim vëllime të tjera.















