Një “Task Force” e re për energjinë, që ka në vëmendjen punonjësit e OSHEE, pritet të nisë punën brenda pak ditësh.
Kjo “Task Force” do të merret me inspektimin e punonjësve të OSHEE-s në të gjithë vendin, me qëllimin e vetëm që të ulen abuzimet.
Në strukturën e saj, e cila është jashtë OSHEE-s, do të përfshihen 50 punonjës, të cilët do të kontrollojnë të gjithë elektriçistët dhe faturistët në vend.
“Kjo Task Force do të nisë punën në ditët në vijim dhe synimi i saj, do të jetë uljen e korrupsionit në rang të punonjësve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë”, tha sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Industrisë, Koli Bele.
Sipas të dhënave, arkëtimet në OSHEE janë rritur me 40% , që nga nisja e aksionit kundër vjedhjes së energjisë elektrike.
Ky operacion ka vënë në pranga një numër të konsiderueshëm elektriçistësh dhe faturistësh, të cilët kanë abuzuar me detyrën e tyre.
















