Për herë të parë pas anullimit të marrëveshjes së koncesionit të skanimit me kompaninë Rapiscan, Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave Elisa Spiropali ka sqaruar vendimin e marrë.
Sipas drejtoreshës kontrata me “Rapiscan” nuk ishte e zbatueshme dhe ankesat e biznesit për koston e lartë ishin të mëdha.
“Qeveira ishte në një proces negociatash me të. Kontrata ishte e pazbatueshme” deklaroi Spiropali pak ditë më parë nga qyteti i Shkodrës.
Përsa i përket arbitrazhit Spiropali shpjegoi se Avokati i Shtetit është institucioni i cili po merret me procedurat për mbrojtjen e shtetit shqiptar.
“Nuk jam unë autoriteti kompetent për të folur për këtë çështje. Çështja po ndiqet nga Avokati i Shtetit, por mund të them se ka një problem shumë të madh me mënyrën si janë dhënë koncesionet dhe kontratat që janë lidhur” tha Spiropali
Ndërkohë në lidhje me të ardhmen e skanimit në dogana drejtoresha ka shpjeguar se nuk është një vendim që i përket por la të hapur mundësinë që ky shërbim ti mbetet shtetit.
“Dogana nuk është autoriteti vendimarrës për këtë cështje por në shumë vende të botës skanimi është një kompentencë shtetërore dhe nuk ka pse ti jepet një kompanie të huaj që rëndon biznesin”
Kompania amerikane “Rapiscan”, e kontraktuar në kohën e “qeverisë së djathtë ” për skanimin e mallrave në doganë, i është drejtuar arbitrazhit ndërkombëtar me pretendimin e prishjes së kontratës në mënyrë të njëanshme nga qeveria shqiptare dhe ka kërkuar dëmshpërblim në shumën 359 milionë dollarë.
















