Aksioni i Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar për lirimin e hapësirave publike në qytetin e Durrësit, vijoi edhe ditën e premte.
I përqendruar në rrugën “Pavarësia” që lidh urën e Dajlanit me zonën e Plepave, fadromat e INUK kanë shembur rreth 30 objekte të ndërtuara në kundërshtim me ligjin.
Janë lokale dhe restorante 1 katëshe, por edhe shtesa pallatesh apo shkallë që kishin zaptuar trotuaret dhe hapësirat publike përgjatë kësaj rruge.
Nga pronarët e këtyre objekteve nuk pati kundështime.
Por veç kësaj rruge, aksioni i INUK pritet të shtrihet përgjatë vijës bregdetare, ku numërohen me qindra ndërtime pa leje.
Kryeministri Rama, premtoi përmes disa postimeve në rrjetet sociale se çdo ndërtim i paligjshëm do të prishet dhe se sezonin tjetër plazhi i Durrësit do të jetë çliruar nga ato që i quajti si çibanët e Kandaharit dhe do të jetë një hapësirë turistike mesdhetare.
Njëkohësisht, INUK prishi disa ndërtime të paligjshme edhe në Fier dhe Lushnje. Aksioni u përqendrua në lirimin e hapësirave publike në pikat hyrëse dhe dalëse të këtyre qyteteve.
Në Fier janë evidentuar rreth 23 objekte pa leje pranë rreth-rrotullimeve të rrugës kryesore të skajeve të qytetit.
Ndërsa në Lushnje numërohen 38 objekte pa leje të ndërtuara në rreth-rrotullimin e Çermës dhe Kolonjës, përgjatë autostradës Lushnje – Fier.
Sipas INUK, këto objekte kryesisht lokale, ishin shndërruar në problematike në qarkullim, pasi pengonin pamjen dhe shpeshherë bëheshin burim për aksidente.















