Nga Rexhep Kastrati
“Në bazë të referendumit, Krimeja, sikurse Kosova, e ka miratuar deklaratën për pavarësinë, dhe i është drejtuar Rusisë me lutjen që të pranohet në përbërje të shtetit rus.”, ka deklaruar kryetari rus, Vladimir Putin pas vizitës që pak ditë më parë bëri në Beograd, në kuadër të shënimeve të 70 vjetorit të çlirimit të Serbisë. Dhe kjo deklaratë vuri në lajthitje jo vetëm disa të ashtuquajtur analistë shqiptarë, që në fakt përveçse injorancës së tyre, nuk po shprehin diçka tjetër, por edhe diplomatë të ndryshëm ndërkombëtarë, siç është edhe Karl Bildt, i njohur për ne si i dërguar ndërkombëtar për Ballkanin. Kjo deklaratë e Putinit, që nuk është e para e këtillë, është interpretuar si pranim i pavarësisë së Kosovës, që absolutisht nuk është e vërtetë. Që në fillim duhet thënë se rasti i Kosovës, nga Rusia po përdoret për dy qëllime: 1. Si precedent në të drejtën ndërkombëtare për mënyrën e zbatimit të së drejtës së kombeve për vetëvendosje për të arsyetuar shpalljen e pavarësisë së Krimesë, dhe; 2. Për të nxitur shqiptarët drejt ambicies për bashkimin e Kosovës me shtetin aktual shqiptar.
Kurthi i parë – Në fillim të marsit, Putini kishte folur hapur për të drejtën për vetëvendosje, duke deklaruar se “sa më është e njohur kjo e drejtë ( në vetëpërcaktim) është e mbështetur në dokumentet e OKB-së, dhe askush nuk e ka hequr… Ne nuk duam të inkurajojmë asgjë, vetëm që njerëzit të cilët jetojnë në atë territor, të kenë të drejtën të vendosin vetë për të ardhmen e vet”. Pra shihet qartë se koncepti i Putinit është një koncept utilitarist që ka për qëllim të arsyetojë pretendimet territoriale ndaj Ukrainës, dhe shteteve të tjera përreth që kanë rusofolës, por jo edhe të respektojë parimisht të drejtën për vetëvendosje. Është kështu për faktin se pak ditë para se Kuvendi i Kosovës të shpallte pavarësinë e Kosovës, vetë Putin këtë akt, e quajti “ilegal, të keq-konceptuar dhe imoral”, si dhe e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për standarde të dyfishta në raport me Abkahzinë dhe Osetinë. Kjo tregon se fillimisht Putin nuk e quante të drejtë dhe të moralshme pavarësinë e Kosovës, por filloi të bënte paralelizma vetëm kur iu desh të arsyetonte ambiciet për aneksimin e territoreve të shteteve të tjera përreth, siç janë territoret në Gjeorgji, Ukrainë e gjetiu. Por a janë të drejta këta paralelizma? Paralelizmat ndërmjet Kosovës dhe Krimesë janë të padrejta edhe për arsye të natyrës socio-historike, me ç’rast në rastin e Kosovës bëhet fjalë për një territor që historikisht ka qenë e banuar me popullatë autoktone iliro-shqiptare, kurse rasti i Krimesë dhe i rajoneve të tjera rusishtfolëse jashtë Rusisë, janë rajone që kanë përjetuar sundimin rus, spastrimin etnik dhe asmilimin rus. Kosova është rast i persekutimit shekullor, i spastrimit etnik dhe i gjenocidit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve nga sllavët e ardhur që nga popullata vendëse morën edhe territorin, kulturën, edhe besimin e edhe identitetin, pasi që tërë territoret ku jetojnë aktualisht sllavët e jugut, kanë qenë territore iliro-shqiptare, të cilët kanë pasur një kulturë dhe një besim të tyre. Ajo që Rusia ka bërë në Krime dhe në rajone të tjera, është afërsisht ajo që kanë bërë sllavët e jugut ndaj popullatës vendëse në Ballkan. Ajo që i bën bashkë në analogji është persekutimi, spastrimi etnik, gjenocidi dhe asimilimi i shqiptarëve, dhe persekutimi, spastrimi etnik, gjenocidi dhe asimilimi rus ndaj jorusëve. Por paralelizmat ndërmjet Kosovës dhe rajoneve rusofolëse jashtë Rusisë nuk janë të drejtë edhe për arsye të natyrës juridiko-kushtetuese. Dhe kur them këtë, kam parasysh faktin se pavarësia e Kosovës është rezultat i një situate të veçantë që ka të bëjë me dy çështje të rëndësishme: me pozitën e Kosovës në RSFJ, si dhe me përbërjen e saj etnike. Kosova ka qenë pjesë e federatës jugosllave njësoj si njësitë tjera të asaj federate që shfrytëzuan të drejtën për vetëvendosje, si dhe ka qenë njësia me kompaktësi etnike më kompaktet, pasi që 90% të saj e përbënin shqiptarët. Pra, pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i shpërbërjes së Jugosllavisë, përkatësisht si shfrytëzim i të njëjtës të drejtë për vetëvendosje që e shfrytëzuan edhe sllovenët, kroatët, boshnjakët, malaziasit, sllavo-maqedonasit, pikërisht për shkak të pozitës juridiko-kushtetuese që Kosova ka pasur në ish-Jugosllavi dhe për shkak të përbërjes etnike të popullatës së saj, si dhe i respektimit të mosndryshimit të kufijve të njësive të ish-federatës jugosllave. Në rastin e rajoneve rusishtfolëse nuk bëhet fjalë për rajone që kanë qenë përbërëse të sistemit juridiko-kushtetues të Bashkimit Sovjetik, si dhe synim i tyre është synim për ndryshimin e kufijve të njësive të ish-Bashkimit Sovjetik që ishin bërë shtete të pavarura. Osetia, Krimeja apo Donjecku nuk kanë pasur statusin e njësisë përbërëse të BRSS-së, prandaj edhe gjatë shpërbërjes së BRSS-së, atyre nuk u ka lindur e drejta për vetëvendosje. Për më tepër, në rastin e Krimesë është Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, sipas të cilit nëse Ukraina hiqte dorë nga armët bërthamore, Rusia njihte pavarësinë e Ukrainës dhe Krimenë si pjesë të saj. Në të gjitha aspektet, rasti i Kosovës është krejtësisht i kundërt me rastin e Krimesë dhe të rajoneve rusofolëse në pjesën e Euroazisë. Nëse rasti i pavarësisë së Kosovës është një e drejtë, një zgjidhje që përfill pozitën juridiko-kushtetuese të Kosovës në RSFJ dhe përbërjen etnike të saj, rasti i Krimesë dhe i rajoneve të tjera nuk janë raste të respektimit të pozitës së tyre gjatë historisë dhe gjatë ekzistimit të BRSS-së. Procesi i tashëm i Krimesëdhe i rajoneve të tjera rusofolëse është proces i kërkesës së Kninit, i Republika Srpskës apo edhe i serbëve të Kosovës për bashkim me Serbinë, pasi që në të drejtën juridiko-kushtetuese Krimea dhe rajonet tjera rusofolëse në shtetet përreth Rusisë, janë të krahasueshme vetëm me Kninin dhe me Republika Srpskën, dhe pas krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, edhe me të, por jo me Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën.
Kurthi i dytë – Një kurth tjetër që Putin u ka ngre shqiptarëve në mënyrë të veçantë, por edhe të tjerëve në Ballkan dhe më gjerë ka të bëjë me pranimin e asaj që ai e quan lutje që Krimeja i ka bërë Rusisë për t’u bashkuar me të. Kurthi që ndërron në faktin që të nxisë shqiptarët e Kosovës që njësoj si Krimeja, të kërkojnë nga shteti shqiptar që të pranojë lutjen për bashkimin e Kosovës me të, e që është një hap drejt ndarjes së Kosovës. Është kështu se paralelizmi i Krimesë me Kosovën, në kuptimin e parimit për vetëvendosje, jo vetëm me shpalljen e pavarësisë, por edhe me bashkimin e saj me Rusinë, do të mund të interpretohej si e drejtë edhe e Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë të kërkojë bashkimin me shtetin aktual shqiptar. Dhe ajo që duan serbët është pikërisht që shqiptarët të dalin me teza dhe kërkesa për ndryshimin e kufijve në rajon e që do të nënkuptonte edhe ndarjen e Bosnjes, të Kosovës dhe të Maqedonisë. Në anën tjetër, rënia e shqiptarëve në kurthin e këtillë, do të thoshte që të thërrmohej baza juridiko-kushtuese mbi të cilën ishte bërë shpallja e pavarësisë së Kosovës, pra në një mënyrë kalimi i çështjes në diskutim rajonal, ashtu siç kishte kërkuar presidenti i atëhershëm i Serbisë, BorisTadiq për bisedime ndërmjet Beogradit dhe Tiranës për një marrëveshje historike serbo-shqiptare, sipas të cilës aty ku jetojnë serbët të bashkohen me Serbinë dhe aty ku jetojnë shqiptarët, të bashkohen me shtetin aktual shqiptar. Dhe deklarata e Putinit, sipas së cilës “ne nuk duam të inkurajojmë asgjë , vetëm që njerëzit të cilët jetojnë në atë territor, të kenë të drejtën të vendosin vetë për të ardhmen e vet.”, absolutisht është në përputhje me deklaratat e BorisTadiqit dhe synimeve strategjike të shtetit serb, pasi që të thuash “që njerëzit të cilët jetojnë në atë territor, të kenë të drejtën të vendosin vetë për të ardhmen e vet”, nuk është asgjë tjetër pos që të përfillet kërkesa e serbëve jashtë Serbisë për bashkim me të, e që zbardh edhe arsyet e spastrimit etnik dhe të bartjes së popullatave të bërë nga Serbia në vende të tjera, sidomos në Bosnjë dhe Kosovë. Pra, Putin përveçse do të legalizojë persekutimin dhe rezultatet e tij, do që këtë ta kthejë në të mirë të rusëve dhe të serbëve, sepse në këtë mënyrë, rusët dhe serbët jo që nuk humbin territor, por fitojnë edhe më tej. A do të ishte Putini ai që do t’ua njihte jorusëve brenda Rusisë, si dhe Serbia t’ua njihte joserbëve në Serbi, të drejtën që “të kenë të drejtën të vendosin vetë për të ardhmen e vetë”? Natyrisht se jo, pasi që si rusët, ashtu edhe serbët kanë dhënë prova se edhe me format më çnjerëzore kanë shtypur çdo përpjekje të jorusëve dhe joserbëve për të vendosur vetë për të ardhmeen e vet. E drejta për vetëvendosje sipas konceptit të Putinit është e drejtë e rusofolësve dhe e serbëve për të vendosur vetë, e që ë tej si arsyetim për aneksimin e territoreve të huaja Rusisë dhe Serbisë, por jo edhe e drejtë e jorusëve dhe e joserbëve për ta bërë të njëjtën. Interesi i shqiptarëve është që të qëndrojnë fort në mosndryshimin e kufijve të shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, ashtu sikurse edhe interesi i shteteve që kanë dalë nga ish-Bashkimi Sovjetik është që të këmbëngulin për mosndryshim të kufijve të shteteve që kanë dalë nga ish-federata e madhe sovjetike. Shqiptarët duhet të konsolidojnë dhe të forcojnë shtetësinë e Kosovës, të konsolidojnë dhe të forcojnë pozitën e tyre juridiko-kushtetuese në Maqedoni, në mënyrë që të mos lënë shteg për humbjen e territoreve të tjera shqiptare. Ndryshimi i kufijve në rajon nuk është interesi i shqiptarëve, pasi që do të thotë humbje e mëtejshme e territoreve shqiptare: fillimisht veriu i Kosovës, e pastaj edhe të tjera territore në Maqedoni dhe Mal të Zi.
















