Ministria greke e kulturës publikoi një video nga gërmimet arkeologjike në nje varreze antike në Amfipolis të Greqisë së veriut. Ne video fiksohen imazhe te zbulimit te nje mozaiku qe konsiderohet i rralle per nga bukuria dhe teknika.
Arkeologët grekë thonë se ndodhen në prag të një zbulimi tepër të rëndësishëm, që ndoshta do të ndryshojë rrjedhën e kërkimeve historike për periudhën e antikitetit.
Ministria greke e kulturës publikoi një video nga gërmimet arkeologjike në tumbën Kasta në Amfipolis të Greqisë së veriut. Gërmimet e dy muajve të fundit tërhoqën vëmendjen e opinionit dhe të medias në mbarë botën. Në videon 2 minutëshe, fiksohen imazhe gjatë gërmimeve dhe zbulimit të një mozaiku që konsiderohet jashtëzakonisht i rrallë për nga bukuria dhe teknika. Shkencëtarët konkluduan se është një moment nga rrëfenja mitologjike mbi rrëmbimin nga Hadesi të Persefonit, bijës së Zeusit dhe të Demetrës.
Më herët, në dy nivelet e para të varrit ishin zbuluar dy sfinksa pa kokë dhe dy kariatida me lartësi 2,27 metra. Historianë dhe arkeologë nga Greqia dhe bota kundërshtuan spekulimet se varri mbretëror që po zbulohet poshtë tumbës i përket vetë Aleksandrit, strategut legjendar që vdiq në Babiloni dhe që thuhet se u varros në Egjipt. Gjithsesi, nuk përjashtohet që varri t’i kushtohet nënës së Aleksandrit, Olympiadës, apo bashkëshortes së tij persiane, Roksanës. Sekretarja e përgjithshme e ministrisë së kulturës tha se ende nuk ka shenja të qarta lidhur me personin që i është dedikuar varri. Amfipolis ishte një qytet i rëndësishëm i mbretërisë antike maqedonase, të udhëhequr nga Aleksandri i Madh dhe ndodhet rreth 60 kilometra larg qytetit të sotëm të Seresit.
Gërmimet arkeologjike në zonë kanë filluar që në vitet 1960, por ato u intensifikuan që nga 2012-ta, duke u pezulluar disa herë për shkak të kushteve atmosferike dhe për mungesë fondesh. Ministria e kulturës raportoi në parlament se gjysma e fondit prej 500 mijë eurosh që është buxheti për gërmimet e këtij viti në Amfipolis, është mbuluar nga donacione.

















